Bislimi takon Unionin e Afaristëve Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskutojnë për situatën e bujqve dhe fermerëve

19:13 | 11 Shtator 2023
E.G

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në një takim Unionin e Afaristëve Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të kryesuar nga Xhelal Memeti, Fatgzim Latifi, Muhamed Ramadani dhe Shefki Jonuzi.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përveç diskriminimit sistematik vuan edhe nga margjinalizimi ekonomik nga institucionet shtetërore serbe, shkruan Arbresh.info.

“Injorimi dhe mos implementimi i marrëveshjeve me përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka sjellë mungesë të theksuar të vëmendjes për këtë zonë.”, thuhet në komunikatë.

Në takim u diskutua edhe mbi situatën e bujqve dhe fermerëve.

“Qeveria ka adresuar çështjet që lidhen me bujqësinë të Luginës së Preshevës e cila mbetet një nga burimet e qytetarëve të këtyre komunave, si mundësi e identifikuar për mbështetje.”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e krijimit të hartës bujqësore për Luginën së Preshevës, e të hartohen programet e trajnimit të bujqve dhe blegtorëve si dhe programet e mbështetjes financiare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të adresuar këto çështje dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës.”, thuhet më tej.

Në këtë takim, Bislimi shoqërohej nga zëvendësministri i MBPZhR, Imri Demelezi./Arbresh.info

Të ngjashme