Bislimi, PDK: Prokuroria të ngrejë padi për të dhënat e rreme që jep ministri i shkarkuar Vitia

17:42 | 14 Prill 2020
L G

Nënkryetari për rini i PDK-së i cili është njëherazi mjek i sapodiplomuar, Donjet Bislimi akuzon ministrin e shëndetësisë në largim, Arben Vitia, për deklarata të rreme duke i bërë thirrje prokurorisë që të hapi rast ndaj tij.

Bislimi shpjegon se institucioni i drejtuar nga Vitia vazhdon të raportojë të dhëna të rreme për sa i përket pandemisë sepse nuk i ka përfshirë të dhënat e sakta të shtetasve kosovarë me përkatësi etnike serbe.

Sipas Bislimit raportimet e fundit përmbajnë dy pasaktësi. Së pari të dhënat e qeverisë aktuale nuk tregojnë saktë numrin e testimeve që janë bërë në Kosoëv sepse nuk kanë përfshirë të dhënat e testeve që strukturat paralele serbe janë duke bërë në territorin e Kosovës dhe po analizohen në laboratorin Torlak në Beograd.

Postimi i plotë i Donjet Bislimit:

Ministri në largim i shëndetësisë Vitia, vazhdon me mashtrime duke raportuar të dhëna të rreme në publik. Ky është një akt i rëndë sidomos në kushtet e emergjencës dhe prokuroria duhet medoemos të hap rast për deklaratë të rrejshme. Për javë me radhë ministri në ikje Vitia dhe zyrtarët e tij kanë raportuar të dhëna të rreme për përhapjen e sëmundjes në Kosovë, duke mos i përfshirë aty të dhënat e shtetasve tanë me etni serbe si dhe komunat ku ata përbëjnë shumicën.. Në një farë mënyre kjo qeveri e shkarkuar nuk i ka konsideruar këta shtetas e këto komuna si pjesë të Kosovës. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme të bëra nga figura të PDK-së për mos-raportimin e rasteve të pacientëve kosovarë me etni serbe, në datën 9 prill, autoritetet e shtetërore të Kosovës më në fund u vunë në lëvizje dhe i përfshinë në të dhënat totale të Kosovës.

Mimrëpo fatkeqësisht të dhënat që po nxirren ende nuk janë të plota e të sakta. Kështu në deklaratën e fundit të Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thuhet shprehimisht se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.410 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej treqind e shtatëdhjetë e shtatë (377) me 8 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Këtu ka dy mashtrime të mëdha që vazhdon të bëhen. Një mashtrim ka të bëj me faktin që rastet e pacientëve të infektuar që janë shtetas të kosovës me përkatësi serbe, nuk janë testuar nga laboratori i IKSHPK-së por nga Instituti i Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” i Beogradit. Pra është e rëndësishme që ashtu sikurse ka nisur të raportojë rastet e pacientëve serbë të Kosovës, ministria e shëndetësisë në largim të raportojë saktë se sa teste ka bërë në territorin dhe me popullsinë e shtetit tonë, instituti Torlak i Beogradit. Vetëm duke përfshirë edhe të dhënat e tyre mund të bëhet mund të bëhet depistimi, gjurmimi, kontrolli i situatës në vendin tonë.

Mashtrimi i dytë ka të bëj me numrin e vdekjeve të shtetasve të Kosovës i cili po raportohet i paplotë e i pasaktë. Autoritetet shtetërore të Kosovës vazhdojnë ende që të raportojnë vetëm vdekjen e 8 shtetasve kosovarë të kombësisë shqiptare. Pra de-facto kjo qeveri e shkarkuar vazhdon ti mohojë serbët dhe vendbanimet e tyre si pjesë të shtetit tonë

 

Duhet patur parasysh se janë 8 raste të shqiptarëve të Kosovës si vijon: Vdekja e parë u shënua në 22 mars me rastin e 82 vjeçarit nga Dumnica e Podujevës. Vdekja e dytë dhe e tretë u shënua në 6 prill me 59 vjeçarin nga Prishtina dhe 70 vjeçaren nga Korisha e Prizrenit. Vdekja e pestë ishte e 65 vjeçarit nga Ferizaj në 7 prill ndërsa rasti i gjashtë ishte një ditë më pas me 66 vjeçaren nga Malisheva. Rasti i 7 i humbjes së jetës ishte i datës 10 prill me 72 vjeçarin e Vrapqiqi i Gjilanit dhe rasti i 8-të, i fundit deri më tani, ishte i 39 vjeçares nga Istogu në 13 prill.

 

Mirëpo janë edhe dy raste të shtetasve kosovarë me etni serbe që duhet të përfshihen. Bëhet fjalë për 47 vjeçarin nga fshati Brus i Leposaviqit në 2 prill dhe pacienti 55 vjeçar nga Mitrovica e Veriut në 11 prill. Pra numri i vërtetë i shtetasve kosovarë që kanë humbur jetën prej koronavirusit është 10. Le ta dijë kjo qeveri që edhe veriu i Kosovës është pjesë përbërëse e pandashme e shtetit të Kosovës dhe se të gjithë qytetarët kosovarë me përkatësi serbe janë po ashtu pjesë e shtetit tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme