Google ADS

Bislimi: Pakoja e zgjerimit, shpresë se zgjerimi i BE-së është përsëri në fokus të vëmendjes pas një dekade heshtje

16:20 | 20 Nëntor 2023
E.G

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti EPIK, ku u diskutua mbi Raportin për Vendin për vitin 2023.

Në fjalën e tij, Bislimi u shpreh falënderues për mundësinë që të diskutojnë hapur, në mënyrë objektive por edhe kritike për Raportin për Vendin për këtë vit, përcjell Arbresh.info.

Ai tha se ky raport ka vlerësim pozitiv në shumë nga fushat që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë, përafrimin me standardet e BE-së e të ngjashme.

“Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor, përkon në plotni me përkushtimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë kësaj periudhe”, tha ai, duke përmendur të gjitha fushat në të cilat ka patur progres gjatë kësaj periudhe qeverisëse.

Në fund të fjalës së tij, duke falënderuar pjesëmarrësit për bashkëbisedimin, zëvendëskryeministri Bislimi tha se: “Pakoja e zgjerimit e publikuar javën e kaluar, e kthen një shpresë se zgjerimi i BE-së është përsëri në fokus të vëmendjes pas një dekade heshtje e stagnimi. Ne mbështesim fuqishëm “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, meqë e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. BE-ja duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Po ashtu besoj fuqishëm se përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen edhe me reformat ekonomike por edhe me avancimin e demokracisë’.

Në këtë tryezë të pranishëm ishin edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman në Republikën e Kosovës, Jörn Rohde, deputetë e përfaqësues të tjerë institucionalë, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

E nderuara Kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, znj. Krasniqi,
Të nderuar deputetë e deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë Szunyog dhe Rohde,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
I nderuari Drejtor Shasha,

Faleminderit shumë për mundësinë që sot bashkërisht të diskutojmë hapur, në mënyrë objektive por edhe kritike për Raportin për Vendin për këtë vit.

Para se të flas për përmbajtjen e Raportit, më lejoni që shkurtimisht të prek tre elemente. E para, siç e tha edhe kryetarja Krasniqi, për herë të parë raporti e adreson vendimin final të BE-së që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen nga 1 janari i vitit 2024 dhe mendoj se Qeveria ka bërë një punë të shkëlqyeshme me një fushatë informuese e cila ende po vazhdon dhe mesa di sot edhe është bërë një hap tutje ku 40 persona të Kosovës të cilët e kanë përmbushur me sukses kuiz-in e njohurive të procesit të liberalizimit të vizave, iu janë nda një udhëtim falas për Vjenë me datën 1 janar.

E dyta që dua të përmend është që Pakoja e Zgjerimit këtë vit propozon hapje të negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe status kandidati për Bosnjë Hercegovinën dhe Gjeorgjinë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës e përshëndesim këtë vendim dhe e shohim si reflektim të rëndësishëm të BE-së në atë që ne e shohim si rëndësi gjeostrategjike të përshpejtimit të zgjerimit të BE-së, si me vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu dhe me vendet e tjera që kufizohen me Rusinë. Por dua të theksoj se në këtë fazë, Kosova jo vetëm nuk i ka të hapura negociatat për anëtarësim në BE, por nuk e ka as statutin e vendit kandidat, e madje ende nuk e ka marrë as pyetësorin nga ana e Komisionit.

Si Kosovë besojmë se nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i ndahet statusi i vendit kandidat, e për këtë status nuk ka nevojë që të kemi njohje të plotë nga gjitha vendet anëtare të BE-së. Vonesat në trajtimin e aplikimit të Kosovës po e dobësojnë shumë pozicionin e BE-së në Kosovë dhe po shtojnë zërat skeptik kundrejt BE-së brenda qytetarëve të Kosovës.

E treta që mendoj se është shumë me rëndësi, kur flasim edhe për përmbajtjen, ka të bëjë me faktet që masat negative të Komisionit Evropian karshi Kosovës, janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave në një masë ka patur ndikim edhe në vlerësimin që i është bërë Kosovës në raport e që në disa raste ka qenë në masë të madhe subjektiv dhe nuk kanë vlerësuar reformat që kanë ndodhur në terren. Gjithashtu, masat që janë në fuqi, bijnë ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos bie ndesh edhe me iniciativat e fundit siç janë Plani i Rritjes edhe ai për Tregun Unik. Prandaj, është shumë e rëndësishme që BE-ja sa më shpejt t’i tërheqë këto masa, në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë.

Sa i përket Raportit për Vendin, të filloj me konstatimin që bëri z. Shasha se ka rritje pozitive në raport. Për shembull ka vlerësim pozitiv në shumë nga fushat që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë, përafrimin me standardet e BE-së e të ngjashme.

Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në por dhe brenda Ballkanit Perëndimor përkon në plotni me përkushtimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë kësaj periudhe, si:

• Në fushën e konkurrencës dhe rritjes ekonomike e sidomos kemi progres në fushën e doganave, tatimeve, politikave sociale e punësimit, arsimit e kulturës si dhe energjisë.
• Progres i mirë është arritur edhe në fushën e përafrimit me tregun e brendshëm ku janë miratuar 16 ligje dhe 35 akte nënligjore që janë brenda kërkesave që burojnë nga MSA-ja.
• Rritje e të hyrave buxhetore për afër 14%
• Formalizim të suksesshëm të ekonomisë dhe vendeve të punës
• Rritje prej 88% në baza vjetore të investimeve të huaja direkte
• Ulje e ndjeshme e nivelit të borxhit publik
• Progres në menaxhimin e projekteve publike
• Rritje e eksportit të mallrave dhe shërbimeve dhe rritje të shkallës së hapjes së ekonomisë
• Rritje e regjistrimit të bizneseve të reja që përkon dhe me rritjen e diferencës mes bizneseve tё hapura dhe atyre tё mbyllura
• Sektor financiar të qëndrueshëm kundrejt krizave me të cilat ballafaqohemi
• Përmirësim i mjedisit të të bërit biznes
• Sukses në transformimin digjital të ekonomisë
• Përmirësim në lëvizjen e lirë të mallit, shërbimeve dhe të kapitalit

Po ashtu, raporti njeh arritjet në fushën e Energjisë, si në projekte ashtu edhe në fushën e legjislacion:

• Miratimi i strategjisë së energjisë 2022 – 2031
• Siguri më të madhe në furnizim me energji
• Rritje në investime për energji të ripërtërishtme
• Jemi në fazën e gati përfundimit të ankandit të parë solar për 100 MË energji
• Kemi implementuar me shumë sukses masat për efiçencë të energjisë në ndërtesat publike e rezidenciale, subvencionimi i mbi 10,000 familjeve për blerjen e pajisjeve efiçiente.

Por, ka edhe fusha ku vlerësimi i bërë në raportin e progresit nuk është në linjë edhe me bindjet e Qeverisë. Pjesa më e rëndësishme ku ne kemi mospajtime substanciale me atë që shihet në raport, ka të bëjë me reformën e administratës publike. Raporti thotë që nuk ka progres tek reforma e administratës publike, vlerësim ky të cilin e shohim pak a shumë jo serioz, më lejoni ta dokumentoj këtë me të arriturat e Qeverisë në fushën e reformës së administratës publike.

Ne kemi miratuar një sërë dokumentesh thelbësore dhe cilësore nga kjo fushë. Për shembull është aprovuar strategjia për administratën publike, dhe ka filluar zbatimi i saj që nga janari 2023. Raportimi dhe monitorimi sigurohet nëpërmjet një platforme online, e cila është plotësisht funksionale. Kemi miratuar strategjinë për qeverisjen elektronike dhe Ligjin për sigurinë kibernetike.

Kemi miratuar dhe kemi filluar zbatimin e dy ligjeve vendimtare, siç është Ligji për zyrtarët publik dhe Ligjin për pagat në sektorin publik. Kemi aprovuar Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022 – 2027, program i projektuar për të trajtuar pengesat rregullatore dhe administrative që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe ka rezultuar nё thjeshtimin e 44 lejeve dhe licensave për operatorët ekonomikë.

Në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët, në platformën e-Kosova deri tani janë lansuar mbi 150 shërbime publike-administrative të nivelit qendror dhe lokal, që nënkupton rritje për 700% në raport me vitin e kaluar. Dhe në këtë kohë, platforma e-Kosova ka mbi 800,000 abonent në mesin e të cilëve qytetarë, biznese dhe OJQ. E tash më tregoni se në cilin vit, deri tani që nga viti 2008, kemi patur më shumë aktivitete, strategji e ligje të rëndësishme në kuadër të reformës së administratës publike për të ardhur në konkludimin se nuk ka patur progres. Në ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me shumë më pak veprime legjislative e strategji, konkluzioni i raportit për ato vende është dukshëm më pozitiv.

Sa i përket marrëdhënieve me jashtë, kritika e BE-së mbetet tek protokollet e papranuara të Kosovës, që është çështje politike e përfaqësimit të Kosovës. Mendoj që reduktimi i gjithë politikës së jashtme në dy protokolle të CEFTA-s, është shumë jo serioz e tregon që ka diskrepancë mes zhvillimeve në terren dhe asaj se çka thuhet në Raportin për Vendin.

Tek sundimi i ligjit, vlerësimi i Raportit të Vendit bie ndesh me indekse të tjera të sundimit të ligjit që bëhen sipas “Transparency International”, ku Kosova renditet në vendin e 84-të, dhe performon më mirë sesa shumica e vendeve kandidate për aderim në BE por edhe tek “V-Dem”, ku renditet e 70-ta nga 179 vende. Nëse më lejoni shkurtimisht të përmend, për shembull tek sundimi i ligjit, në raport thuhet që jemi në mes të fazës së hershme dhe kemi deri diku përgatitje apo nivel të përgatitjes, në ndërkohë që në raporte ndërkombëtare siç është Ëorld Justice Project, Kosova është e rankuar më mirë se Bullgaria, e cila është anëtare e BE-së, është për 40 vende e rankuar më mire se Hungaria, e cila është shtet anëtar i BE-së dhe është 35 vende më lart e rankuar se Serbia, për të cilën thuhet se ka “some level of preparation” në këtë kontekst.

Ka edhe raporte të tjera, për shembull tek luftimi i korrupsionit, ku Kosova është më mirë sesa të gjitha vendet tjera kandidate, për shembull është 32 vende më mirë se Ukraina të cilës po i hapen negociatat, kjo tregon që pak a shumë ka shpërpushje të madhe mes gjendjes në terren dhe mënyrës sesi kjo është reflektuar në Raportin për Vendin.

Kritika mbetet tek mungesa e verdikteve finale nëpër gjykata, e këtu Qeveria ka nisur dy procese shumë të rëndësishme siç është procesi i vetingut dhe ajo e Byrosë për Konfiskim që mbeten pezull nga Gjykata Kushtetuese. Sa i përket detyrimeve të Qeverisë në Sundimin e Ligjit, më lejoni të përmend disa nga të arriturat:

Miratimi i strategjisë deri në fund të vitit 2022, dhe atë Strategjia për Sundim të Ligjit, është realizuar 43% e kësaj strategjie. Në realizim e sipër janë vlerësuar 45% e masave ndërsa vetëm 12% e masave në kuadër të strategjisë për Sundimin e Ligjit nuk janë realizuar ende. 88% të masave të zbatuara plotësisht ose në zbatim e sipër, është gabim të thuhet se ka ritëm të ngadaltë të zbatimit të strategjisë. Kemi themeluar Gjykatën Komerciale, e gjykata të tilla nuk themelohen e stakohen për çdo vit. Kemi progres në drejtësinë administrative. Kemi Projektligjin e ri për Konflikte Administrative i cili synon t’i bëj procedurat më efikase, kemi Ligjin e ri për Shërbimin Sprovues dhe kemi Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit. Nuk janë pak arritje për vetëm një vit të operimit.

Për të përfunduar, pakoja e zgjerimit e publikuar javën e kaluar, e kthen një shpresë se zgjerimi i BE-së është përsëri në fokus të vëmendjes pas një dekade heshtje e stagnimi. Ne mbështesim fuqishëm “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, meqë e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. BE-ja duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Po ashtu besoj fuqishëm se përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen edhe me reformat ekonomike por edhe me avancimin e demokracisë. Nuk do duhej që nga BE-ja të përfitojnë fonde ata të cilët nuk i përfaqësojnë vlerat e BE-së, dhe së bashku duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshmërisë si ekonomike ashtu dhe politike të rajonit. E takimet si ky, janë mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e përvojave tona.

Faleminderit shumë edhe njëherë për mundësinë që sot bashkërisht të diskutojmë për këtë temë./Arbresh.info/

 

Të ngjashme