Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpejtë në zhvillimin e vendit

15:16 | 22 Nëntor 2024
E.K

Dita e dytë e vizitës zyrtare në Poloni e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vijoi me pjesëmarrjen në konferencën e organizuar nga qendra e studimeve “Trans-European Policy Studies Association”, TEPSA, me titull “Who should be the real time-keeper in EU enlargement?”, në kuadër të konferencave që po zhvillohen në prag të Presidencës së Polonisë të Këshillit të BE-së.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri shprehu se Kosova ka shënuar progres të shpejtë, ka dëshmuar avancimin në zhvillimin e vendit, gjersa procesi i zgjerimit duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe vlerësimin e zbatimit të agjendës së reformave dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.

Theksoi se Kosova arriti progresin e dytë më të shpejtë në rajon dëshmuar përmes Raportit të fundit për Vendin, progres të shpejtë në rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë, progres të shpejtë në rritjen ekonomike, progres të shpejtë në rritjen e të ardhurave të bizneseve, si dhe prezantim për herë të parë të politikave sociale që prekin veçanërisht fëmijët, nënat e reja, familjet dhe të rinjtë.

“Historia e Kosovës në vitin 2024 është modeli i asaj se çfarë jemi në gjendje të arrijmë dhe të shënojmë progres të dukshëm,” tha zëvendëskryeministri.

Duke qenë vendi i vetëm në rajon, i cili ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zëvendëskryeministri theksoi rëndësinë në ecjen përpara në këtë proces për Kosovën përmes marrjes së pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat.

Përgjatë diskutimeve të panelit u trajtua dhe mbështetja e Polonisë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe prioritetet e ardhshme të Presidencës së Polonisë të Këshillit të BE-së në gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Pjesë e panelit ishin edhe kryesuesi i departamentit të politikave të zgjerimit të BE-së dhe fqinjësisë në ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, Tomasz Wiśniewski, përfaqësuesja nga Instituti për Politika Evropiane (EIP), Funda Tekin, dhe profesori i Universitetit të Varshavës dhe Institutit për Evropë Qendrore, Spasimir Domaradzki. Paneli u moderua nga editori i Visegrad Insight, Jan Farfal./Arbresh.info

Të ngjashme