Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të enjten në Bruksel se gjërat në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), nuk mund të jenë më njësoj, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në fund të shtatorit në veri të vendit.
Bislimi – i cili është edhe kryenegociator i Kosovës për dialogun me Serbinë – tha gjatë një ligjërate në Qendrën për Politikat Evropiane në Bruksel se “së pari, masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, ndërsa Serbisë nuk duhet t’i lejohet të bëjë agresion përsëri ndaj Kosovës”.
BE-ja vendosi masa kundër Kosovës më 1 korrik, duke vlerësuar se ajo nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Derisa Serbia e ka mohuar çfarëdo përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai u mor në pyetje dhe u lirua menjëherë nga autoritetet serbe më 4 tetor.
Gjatë ligjëratës së tij të enjten, Bislimi i përsëriti qëndrimet e zyrtarëve të lartë në Prishtinë se “qartazi ky sulm ishte dizajnuar, mundësuar dhe mbështetur nga Beogradi.”
Sulmi në Banjskë ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut më 14 shtator në Bruksel.
Duke folur për këtë takim, Bislimi e përsëriti se pala kosovare kishte dalë me një propozim dhe priste që edhe Serbia ta bënte të njëjtën, në mënyrë që të arrihej kompromis në zbatimin e marrëveshjes.
“Propozimi i kryeministrit Kurtit ishte refuzuar pa u lexuar fare. U quajt si joreal. Kosova nuk mund të jetë neutrale ndaj statusit të vet. Kërkuam propozimin e palës tjetër për të kërkuar kompromisin. Na u dha një dokument që ishte i përgatitur edhe para marrëveshjes dhe që fliste vetëm për Asociacionin. Këtu erdhëm në përfundim se nuk ka paanshmëri”, tha Bislimi.
Ai foli edhe për atë që e quajti “përparim” të Kosovës në përafrimin me BE-në “në shumë fusha”, si dhe për përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por edhe në BE.
Ai nguli këmbë se duhet të “punohet pandërprerë për të arritur marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve e cila duhet të nënkuptoje dhe njohjen e ndërsjellët.”
“Kosova ka bërë kompromis kur e ka pranuar Marrëveshjen e cila as nuk është përfundimtare e as nuk e ka njohjen e ndërsjellët”, shtoi ai.
Bislimi tha se pret nga BE-ja që ta trajtojë Kosovën “sipas standardeve të njëjta me vendet tjera”, sepse Kosova është i vendi i vetëm i cili ka aplikuar për anëtarësim dhe nuk e ka marrë ende statusin e vendit kandidat./REL
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...