Google ADS

Bislimi mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për Grantin e Përformancës Komunale

15:27 | 9 Shkurt 2024
E.K

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me Komunat përfituese të Grantit të Performancës, organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori i Zvicrës, Jurg Sprecher, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës.

Ceremonia e Grantit të Performancës është përmbyllje e një procesi i cili përfshin raportim, kontroll dhe vlerësim, gjithmonë objektiv, transparent dhe të paanshëm. Që nga viti 2021 e deri në vitin 2023, janë financuar 143 projekte, me një mbështetje prej 20 milionë euro. Këtë vit, janë ndarë edhe 8.3 milionë euro shtesë për projekte të tjera, për 11 komuna përfituese. Për më tepër, tashmë ky grant bazohet në ligjin përkatës të miratuar në kuvend.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se “pikënisje për çfarëdo suksesi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, është, ka qenë, dhe mbetet administrata moderne publike, administratë efikase, administratë publike llogaridhënëse dhe transparente dhe çka është shumë me rëndësi, një administratë publike e depolitizuar.”

Ai shtoi se “Në qoftë se duam të avancojmë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, do të jetë shumë me rëndësi që të jemi të suksesshëm dhe të vendosur në reformimin e administratës publike. Të vendosur në thjeshtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet që kjo administratë ofron dhe një ulje të kostos qoftë ajo monetare, apo në kohë në marrjen e këtyre shërbimeve.”

Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi se në buxhetin e vitit 2024, kemi ndarë 742 milionë euro për komunat tona. Kjo nënkupton që sa më e suksesshme të jetë qeverisja në nivel qendror në rritjen e të ardhurave kombëtare dhe rritjen e buxhetit në nivel qendror, në mënyrë direkte, aq më shumë do të përfitojnë edhe komunat në mundësitë që kanë për të zbatuar politikat e prioritetet e tyre.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Është kënaqësi e veçantë të jem sot në mesin tuaj, kur po bëhet vlerësimi dhe mirënjohja për ato Komuna që këtë vit kanë performuar pak më mirë se sa komunat e tjera dhe i shohim si determinante parësore në zbatimin e atyre kritereve dhe parimeve të qeverisjes lokale siç janë promovimi dhe forcimi i administratës publike efikase, transparente, e llogaridhënëse gjithnjë karshi qytetarëve të tyre.

Të nderuar të pranishëm, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë e mbuloj shtyllën e Integrimit Evropian, dhe në këtë kontekst ajo që kemi vërejtur është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësojnë një laramani në secilin aspekt. Jemi të ndryshëm për nga niveli i të ardhurës për kokë banori, të ndryshëm për nga kualiteti i infrastrukturës fizike të kompletuar, të ndryshme për nga niveli i stabilitetit politik, për nga shpejtësia e reformave fiskale, tregtare, sociale e të ngjashme.

Por, në qoftë se i shikojmë më afër të gjitha këto dallime, ato kanë një të përbashkët të plotë, e përbashkëta e tyre është se gjithçka varet nga kualiteti i administratës publike të tyre.

Andaj, pikënisje për çfarëdo suksesi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, është, ka qenë, dhe mbetet administrata moderne publike, administratë efikase, administratë publike llogaridhënëse dhe transparente dhe çka është shumë me rëndësi, një administratë publike e depolitizuar.

Në qoftë se duam të avancojmë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, do të jetë shumë me rëndësi që të jemi të suksesshëm dhe të vendosur në reformimin e administratës publike. Të vendosur në thjeshtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet që kjo administratë ofron dhe një ulje të kostos qoftë ajo monetare, apo në kohë në marrjen e këtyre shërbimeve.

Në këtë kontekst, reforma e Administratës Publike avancohet në një lloj kryereforme dhe parakusht për zbatim të suksesshëm të reformave të tjera si dhe të zotimeve politike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.

Andaj, si suksesi ashtu edhe shpejtësia e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, do të ndikohet fuqishëm nga kualiteti i administratës tonë publike, dhe aftësia e zyrtarëve tonë publikë që politikat shtetërore t’i përkthejë në më shumë mirëqenie, në më shumë vende pune, në më shumë mundësi, barazi e drejtësi për qytetarët.

Granti i Performancës, e ka në vete një potencial shumë interesant. Nuk do mend që ato udhëheqësi komunale që sigurojnë qytetarëve të tyre më shumë efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie, drejtpërsëdrejti u ofrojnë më shumë vlerë për tatimet dhe taksat që ata i paguajnë shtetit. Por, në të njëjtën kohë, i sjellin edhe një bonus shtesë përmes këtij granti, bonus shtesë që është përtej përfitimit direkt nga taksat e tyre, pra projektet shtesë përtej kornizës së rregullt buxhetore.

Kjo e bën grantin e Performancës politikisht shumë atraktiv për udhëheqësitë e përgjegjshme komunale, por në të njëjtën kohë edhe e rrisin koston e mos interesimit të lidershipit komunal për kualitetin e administratës së tyre lokale. Në mënyrë që ky potencial të mos keqpërdoret është shumë me rëndësi që gjatë zbatimit të grantit të performancës të kemi korrektësi në tri rrafshe: korrektësi në përcaktimin e kritereve të vlerësimit; korrektësi në raportimin e zyrtarëve komunalë dhe korrektësi në vlerësim të suksesit të komunës.

Një element shtesë me rëndësi, është edhe të shihet trendi në performancën e komunave. A i kemi të njëjtat komuna që në mënyrë të vazhdueshme dallojnë nga të tjerat në kualitet të qeverisjes, apo ndoshta gara është shumë më e barabartë se që duket dhe vit për vit shohim kryetarë të rinj që dallohen pak më shumë sesa kolegët e tyre në komunat tjera.

Në rastin e dytë qytetarët, por edhe ne mund të ndihemi më të sigurt, për zgjedhjet politike që kemi bërë në rrafshin komunal.

Andaj, i bëj thirrje Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që ta fuqizojë edhe më tej këtë sistem vlerësimi, në mënyrë që në vazhdimësi të kemi një pasqyrë reale dhe garë të barabartë.

Ne kemi mbështetur skemën e grantit të perfomancës duke e votuar në Kuvend për herë të parë ligjin për të, si dhe kemi shtuar dhe do të vazhdojmë të shtojmë fondet në këtë grant dhe në të njëjtën kohë do të kërkojmë edhe rritje të mëtejme të transparencës.

I ftoj komunat që të vazhdojnë të raportojnë në këtë skemë, meqë kjo nënkupton edhe më shumë llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe më shumë respektim si të institucioneve ashtu edhe të votës së qytetarëve.

Në buxhetin e vitit 2024, kemi ndarë 742 milionë euro për komunat tona. Kjo nënkupton që sa më e suksesshme të jetë qeverisja në nivel qendror në rritjen e të ardhurave kombëtare dhe rritjen e buxhetit në nivel qendror, në mënyrë direkte, aq më shumë do të përfitojnë edhe komunat në mundësitë që kanë për të zbatuar politikat e prioritetet e tyre.

Tani më lejoni që në fund të përgëzoj dhe uroj të gjitha ato komuna të cilat kanë dalë të parat këtë vit. Duke kaluar kriteret dhe duke përmbushur synimet ato komuna kanë treguar se janë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe më të suksesshëm në udhëtimin e tyre.

Urime të gjithëve dhe suksese në zbatimin e këtyre projekteve të cilat sot do të financohen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Faleminderit edhe njëherë!/Arbresh.info

Të ngjashme