Google ADS

Bislimi merr pjesë në takimin ministerial të BP6 për Planin e Rritjes

21:46 | 28 Shkurt 2024
R J

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin ministerial për Planin e Rritjes të organizuar në Tiranë, ku ishin prezent zëvendëskryeministra e ministra për Integrimin Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim u diskutua mbi hapat e ardhshëm, mundësitë, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

U theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Planit të ri të Rritjes, për zgjerimin dhe integrim të përshpejtuar në programet, institucionet dhe politikat e BE-së. Më tej u shpreh dhe mbështetja për përafrimin e mëtejshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, përmes procesit të zgjerimit të BE-së, si një përfitim reciprok për rajonin dhe për vetë BE-në.

Nga ana e tij, Bislimi nënvizoi se duhet të ketë koordinim të mirë dhe linja të komunikimit mes shteteve të rajonit, ku të gjithë janë të barabartë dhe përfitojnë njëlloj. Gjithashtu, theksoi edhe rëndësinë e një procesi të vlerësimit të standardizuar të avancimit të vendeve, përmbushjes së obligimeve dhe përafrimit me BE-në. Konvergjenca e rajonit tonë me Bashkimin Evropian duhet të ndodhë paralel dhe me konvergjencën brenda Ballkanit Perëndimor, u shpreh zëvendëskryeministri. Ai përmendi dhe domosdoshmërinë e mosbllokimit të njëri-tjetrit në këtë rrugëtim.

Diskutimi mes palëve u fokusua edhe në bashkëpunimin në fushat e teknologjisë dhe inovacionit, lehtësimit të shkëmbimit tregtar dhe transportit, si dhe rëndësinë e bashkëngjitjes në Single Euro Payment Area (SEPA)./Arbresh.info/

Të ngjashme