Google ADS

Bislimi në Paris: Procesi i integrimit evropian të jetë i bazuar në meritokraci e qasje të barabartë

17:11 | 19 Tetor 2023
E.K

Gjatë qëndrimit në Paris, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me Valérie Rabault, Nënkryetare e Asamblesë Kombëtare, Jean-Louis Bourlanges, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputetin Arthur Delaporte.

Bislimi shprehu mirënjohjen ndaj shtetit të Francës për miqësinë e partneritetin e ngushtë. Ai i informoi  Rabault, Bourlanges dhe Delaporte mbi sukseset, arritjet e objektivat tutje të Republikës së Kosovës veçanërisht në zhvillim ekonomik e sundim të ligjit.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, u potencua rëndësia për shpërndarje të barabartë e rritje të qëndrueshme.

Në lidhje me procesin e integrimit evropian, ai theksoi se është prioritet për Qeverinë dhe se mbetemi të përkushtuar në zbatimin e reformave dhe avancimin në rrugëtimin tonë evropian.

Në vazhdimësi po dëshmojmë që jemi gati për hapa tutje, të mbështetur jo vetëm nga gatishmëria e niveli i përgatitjes së institucioneve tona, por edhe nga vullneti e përkrahja qytetare për këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e qasje të barabartë për të gjitha shtetet.

Palët diskutuan dhe mbi procesin e dialogut dhe sulmin terrorist e aktin e agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës./Arbresh.info

Të ngjashme