Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkëbisedoi me delegacionin nga Këshilli i BE-së – Grupi i Punës për Ballkanin Perëndimor (COWEB).
Sipas njoftimit, prezent ishin 25 diplomatë nga shtetet anëtare si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) dhe Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS), shkruan Arbresh.info.
Përgjatë fjalës së tij dhe përgjigjeve në pyetjet e delegatëve pjesëmarrës, Bislimi foli për rrugëtimin dhe synimet e Kosovës në integrimin evropian, me theks në trajtimin dhe arritjen e konsensusit për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht atë në Këshillin e Evropës ku vendi ynë pas kalimit me sukses të fazave paraprake tashmë gjendet në hapin e fundit të nevojshëm për arritjen e këtij suksesi, si dhe u diskutua për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.
Ai foli dhe për performancën së brendshmi të institucioneve, trajektoren e progresit dhe zhvillimit në të cilën ndodhet tashmë vendi ynë, duke nënvizuar indikatorët pozitivë makroekonomikë, nga zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit deri tek rritja e investimeve të huaja direkte ndër të tjera.
Më tej, theksoi dhe se masat e padrejta të BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, pasi janë plotësuar tashmë edhe të gjitha kushtet e marrëveshjes së Bratisllavës, si dhe shprehu përsëri qëndrimin tonë se propozimi për dhënien e liberalizimit të vizave për pasaportat ilegale KU, është kundërthënës dhe i njëjti shkel sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
“Mbi procesin e dialogut me Serbinë, zëvendëskryeministri trajtoi eskalimet në terren nga pala serbe dhe shkeljet e vazhdueshme të tyre të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit, si dhe mospranimin e këtyre marrëveshjeve e refuzimin për nënshkrim, dëshmuar në vazhdimësi përmes deklaratave publike të liderëve shtetërore e vulosur me letrën e ish-kryeministres së Serbisë, drejtuar Bashkimit Evropian në dhjetorin e kaluar.”, thuhet në njoftim.
Duke i falënderuar për bisedën dhe takimin e zhvilluar, zëvendëskryeministri Bislimi i uroi delegacionit qëndrim produktiv e të frytshëm në Kosovë./Arbresh.info/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...