Adresimi i Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në mbledhjen e 78-të të Qeverisë.
Kam nderin të hapi sot mbledhjen e 78-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës në një kohë kaq dinamike dhe me zhvillime të rëndësishme për vendin. Gjatë kësaj jave dhe asaj që lamë pas, Kryeministri Kurti është duke zhvilluar takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve me renome ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave, si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan. Një vizitë e kësaj natyre shkon përtej partneritetit politik, që e kemi gëzuar Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndër vite, duke i dhënë asaj edhe të paktën tri dimensione tjera.
Së pari, është mundësia e bashkëpunimit në rrafshin e investimeve të huaja direkte e të punësimit në vend. Meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë ekonominë më të madhe në botë, Kosova duhet të trajtojë me përkushtim mundësitë e bashkëpunimit me kompani amerikane, që të sjellim investime dhe vende të punës në Kosovë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti është kryeministri i parë, që po bën përpjekje serioze për të ndërtuar ura bashkëpunimi me sektorin privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së dyti, duke marrë parasysh se kompanitë amerikane janë inovatorët kryesorë në fushën e teknologjisë informatike dhe duke marrë parasysh potencialin që Kosova e tregon në këtë fushë, mundësitë janë reale, që të sjellim në Kosovë njohuritë më të reja në fushën e teknologjisë informative dhe të bëjmë ndërlidhjen me tregun e ShBA-së dhe të vendeve të tjera ku operojnë këto kompani.
Së treti, diaspora e Kosovës në ShBA është një nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet, e cila ka luajtur rol qendror në çlirimin e vendit dhe vazhdon të kontribuojë në vend me gjithë mundësitë që i ofrohen. Potenciali i vajzave dhe djemve tanë në ShBA është i jashtëzakonshëm. Qëllimi ynë është ta vëmë këtë potencial në shërbim të ndërtimit të një të ardhme prosperuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë javës që lamë pas, Kosova po ashtu ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me rastin e dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, znj.Gërvalla. Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë, që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare njëherit janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila tashmë ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare, si dhe protokollet e saj.
Pas anëtarësimit, qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre, e kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe drejtpërdrejt do të kenë ndikim në funksionimin e gjyqësorit në vend. Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë në një momentum shumë pozitiv dhe të koordinuar me miqtë dhe partnerët e Kosovës.
Janë disa hapa dhe vendime të rëndësishme deri në anëtarësimin e plotë, ndërkohë Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë me përkushtim përgjatë gjithë procesit, hap-pas-hapi, në mënyrë që të sigurojmë forcimin e mbrojtjes së të drejtave e lirive elementare të qytetarëve të Kosovës dhe qasjen e tyre në institucione tjera evropiane.
Ne besojmë fuqishëm, që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët veçse e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin drejt vlerave, standardeve dhe mekanizmave integrues dhe do e mbështesin këtë rrugëtim.
Po ashtu, besojmë fuqishëm, që edhe vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën në rrafshin bilateral, por kanë mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, do të dëshmohen se nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtimi të shtetit tonë. /arbresh.info/
Të shtëna me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%