Bislimi: Ka nevojë për një takim shtesë për dinarin

16:31 | 25 Mars 2024
E.G

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Kryenegociatori i Kosovës tha se gjatë takimeve diskutuan se cili është modaliteti më i mirë për të siguruar që Serbia të mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për qytetarët e Kosovës me kombësi serbe, që do të ishin në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për transferet e parave të gatshme.

“Të dyja palët dorëzuan të premten [22 mars] dhe sot ne i prezantuam ato dhe diskutuam për to”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut.

Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha pas takimit javën e kaluar se pret në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb.

Stano tha se takimi i javës së kaluar “ishte i rëndësishëm për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

“Palët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje të hënën me 25 mars, me qëllim që të diskutojnë propozimet konkrete dhe të gjejnë një zgjidhje afatshkurtër”, shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej së hyri në fuqi rregullorja e BQK-së.

Në takimin e javës së kaluar ishte diskutuar edhe për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Stano paralajmëroi pas atij takimi se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikur edhe kërkesat shtesë për formalizm, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Stano javën e kaluar.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme