Google ADS

Bislimi fajëson Hungarinë që nuk lejoi heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

16:56 | 24 Dhjetor 2023
E.G

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës.

Sipas tyre këto masa kanë dëmtuar ekonominë por edhe imazhin e Kosovës.

“Ne besojmë që këto masa negative kanë prodhuar çekuilibër në procesin e dialogut. Pavarësisht faktit se qëllimi ndoshta ishte për të nxitur sjellje konstruktive, në këndvështrimin e tyre, kjo dështoi. Shumë vende mbështeten heqjen e menjëhershme të masave dhe kishte disa vende që ishin pro heqjes graduale të masave”, tha Bislimi në një intervistë për Euronews Albania.

Më tej ai theksoi se problemi është se kur ka shtete që mbështesin diçka dhe shtete që këmbëngulin për diçka, numrat nuk kanë rëndësi.

Për mbetjen e masave në fuqi, Bislimi gishtin e drejtoi kah Hungaria, e cila sipas tij, “si emëruesi më i vogël i përbashkët” nuk e lejoi konsensusin e shumë vendeve të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Kemi mbështetës që përkrahin heqjen e masave, por na duhet dikush që të këmbëngul për këtë. Kjo do të ndihmonte. Ka një fjali në konkluzionet e Këshillit që i hap rrugën kësaj sepse thotë që Këshilli është gati të heqë masat me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë. Ne e dimë se ai ishte pro heqjes së masave, ndaj ajo që na duhet tani është që Borrell t’i dërgojë një letër ku të mbështesë heqjen e masave”, tha Bislimi derisa shtoi se është optimist për këtë.

“Jam optimist sepse nëse nuk trajtohet menjëherë, kjo mund të dëmtojë procese të rëndësishme të BE-së, jo vetëm Kosovës, siç është plani i zgjerimit”, tha ai.

Të ngjashme