Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, beson se ndarja e Kosovës është opsioni i vetëm të cilin Beogradi po e mban në tavolinë për më shumë tri dekada.
Gjatë një interviste dhënë të përditshmes serbe Danas, Biserko ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se idenë për ndarjen apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë e ka dëgjuar nga mediat.
Biserko këtë ndryshim të diskursit të Vuçiqit se kinse nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, edhe pse sipas saj ka qenë thellë i kyçur si për ndarje ashtu për shkëmbim si zgjidhje përfundimtare, ia rikujton deklaratat se si për ndarjen e Kosovës kishte folur i pari Dobrica Qosiq.
Ajo madje rikujtoi se si Dobrica Qosiq qysh në vitin 2005 kishte botuar një libër ku deklarohej haptazi për ndarjen e Kosovës, madje atë e ka promovuar pothuajse në të gjitha qytetet e Serbisë.
“Ka pasur dy vëllime me një tirazh që në Serbi konsiderohej rekord. Vëllimi i parë është shitur në mbi 50 mijë kopje. Presidenti Vuçiq, si të gjithë tjerët para tij, këtë strategji e kanë shndërruar si strategji shtetërore. Ata konsiderojnë se Kosova është tokë serbe duke mos dalë kurrë me një plan se si e shohin ri-integrimin e Kosovës në Serbi, përveç asaj me preambulën e Kushtetutës së vitit 2006”, konsideron Biserko.
Sonja Biserko thotë se marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin kur është arritur interpretimi në lidhje me asociacionin e komunave serbe.
“Vuçiq deklaroi në qershor të vitit të kaluar: “Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve”. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington në shkurt të këtij viti. Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, thotë Biserko.
Prezantohet plani i veprimit për sigurinë në shkolla, Rama: ...
Gjithçka gati, sonte nis Big Brother VIP Albania 4
Rama: TikTok do mbyllet për një vit
Hamza: Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta p...
Papa Françesku: Patriarku nuk u lejua që të hynte në Gaza
Murati: Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për fat...