Nga tri pozitat më të larta udhëheqëse politike në Kosovë, partitë që po synojnë formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar për njërin post, atë të kryeministrit, i cili i është besuar partisë fituese të zgjedhjeve (LVV) dhe kandidatit të saj, Albin Kurti.
Ndërkaq, për dy pozitat tjera, atë të kryetarit të Kuvendit, por edhe atë të Presidentit të Kosovës, që mund të zbatohet pas skadimit të mandatit kushtetues të presidentit aktual, Vetëvendosje dhe LDK mbetet të diskutojnë në nivelin e takimeve të liderëve të të dy partive.
Bisedimet edhe për postin e Presidentit, i konfirmoi vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha të premten pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së se para se të formohet Qeveria, me Lëvizjen Vetëvendosje do të merren vesh edhe për postin e Presidentit.
Ai tha se nuk ka shprehur personalisht dëshirën për këtë post, por u shpreh në favor të marrëveshjes edhe për pozitën e shefit të shtetit.
Presidenti aktual, Hashim Thaçi, ka mandat kushtetues deri në vitin 2021. Por, pavarësisht këtij fakti, Vetëvendosje dhe LDK-ja paralajmërojnë edhe mundësinë që qysh tani të arrihet marrëveshja edhe për presidentin që do të zgjidhej më 2021.
Ndërkohë, gjatë takimeve në nivelin e grupeve punuese, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, sipas përfaqësuesve të tyre, janë dakorduar rreth programit qeverisës.
Ky dakordim, sipas analistit të Grupit për Studime Juridike e Politike, Përparim Kryeziu, paraqet një të arritur në kuadër të negociatave për koalicion.
“Raportimet ë fundit dëshmojnë që ka një përafrim të programeve të të dy partive që buron nga vullneti dhe bashkëpunimi mes të dy partive, ndonëse ato u takojnë dy krahëve të ndryshëm të formimit politik. Kjo është shumë e rëndësishme për faktin që suksesi i qeverisë varet pikërisht nga programet qeverisëse”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë negociatave, një energji të konsiderueshme Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë shpenzuar edhe në reduktimin e numrit të ministrive. Nga 21 ministri sa ka Qeveria në largim e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, koalicioni i ardhshëm po pretendon të reduktojë numrin në 12 ministri, prej të cilave 10 do t’u takonin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe dy subjekteve nga komunitetet joshumicë, përkatësisht një për komunitetin serb dhe një për komunitetet joserbe.
Bashkimi i ministrive po konsiderohet si mjaft sfidues, marrë parasysh se disa prej tyre, siç janë Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave e të ngjashme, nuk po besohet se mund të bashkohen me një ministri tjetër.
Ndërkaq, ndarja e ministrive, të cilat do të udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, pritet që të kalojë tani në vlerësimet e organeve vendimmarrëse brenda dy partive.
Përparim Kryeziu thotë se dy kryetarët e partive më të mëdha, e kanë për obligim që ta përmbyllim procesin e negociatave me marrëveshje, në mënyrë që Kosova ta ketë sa më shpejt Qeverinë e re.
“Duke e pasur parasysh që Kosova gjendet në një moment shumë të rëndësishëm historik dhe duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit që kanë treguar një vullnet të qytetarëve për ndryshim, konsideroj që këto dy parti kanë një përgjegjësi kombëtare që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt. Të formojnë Qeverinë dhe të sigurohen që të përmbushin të gjitha zotimet, me të cilat e kanë marrë besimin e votuesve gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit”, theksoi Kryeziu.
Gjatë bisedimeve ndërmjet grupeve punuese, përfaqësuesit e të dy subjekteve politike kanë deklaruar se kanë fuzionuar pika të përbashkëta programore në mënyrë që të arrihet deri te një program unik qeverisës.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se strategjia e të dy partive ka qenë që të arrihet pajtueshmëri sa më e madhe, nisur nga pikat e përbashkëta, për të arritur deri te zgjidhjet pak më të vështira.
“Janë bisedime serioze, ashtu siç e ka vendosur qytetari i Kosovës me votën e vet për ndryshimet e nevojshme në Kosovë”, theksoi Konjufca.
Pas takimit të fundit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, Avdullah Hoti nga LDK-ja deklaroi se pajtimi rreth pikave programore është arritur, kurse organeve të partisë dhe liderëve tani u mbetet të vendosin për çështjet tjera.
“Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar, jemi dakorduar për strukturën e Qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash u përket liderëve politikë të vendosin për formimin e Qeverisë”, ka thënë Hoti.
Bazuar në deklaratat e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani, të cilët në intervistat për Radion Evropa e Lirë kanë folur në lidhje me bisedimet për Qeverinë e re, në takimet ndërmjet liderëve, përveç pjesës së ndarjes së pushtetit, do të diskutohet edhe për aspektet e politikave të jashtme, sidomos për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pritet të diskutojnë për qasjen dhe pozicionin e Kosovës karshi vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe përcaktimin e kornizave, mbi bazën e të cilave do të vazhdohen negociatat.
Nga procedurat e ankesave, deri te konstituimi i institucioneve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tashmë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor. Rezultati u shpall më 7 nëntor, por ai nuk është certifikuar ende, pasi që tani duhet të pritet edhe faza e ankesave dhe shqyrtimeve të tyre.
Gjatë periudhës 24 orëshe, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i janë paraqitur më shumë se 67 kërkesa për shqyrtim nga disa subjekte politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Sipas procedurave, PZAP-ja mund t’i shqyrtojë ato apo t’i hedhë poshtë. Por, edhe atëherë nuk përfundon procesi, pasi që menjëherë pason edhe periudha kohore prej 24 orëve për ankesa në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë 72 orë për të vendosur.
Pas PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, instanca e fundit mbetet Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe kësaj instance nëse organet tjera nuk urdhërojnë rinumërimin e tërësishëm të votave.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të presë vendimet e këtyre institucioneve, të shohë përmbajtjen dhe se çfarë e obligojnë KQZ-në të veprojë, në mënyrë që të mund të procedojë drejt certifikimit të rezultatit përfundimtar. Pas certifikimit, KQZ-ja e njofton zyrtarisht presidentin e Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, thotë zëdhënësi i KQZ-së,Valmir Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Fituese e zgjedhjeve ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila siguroi 32 ulëse në Kuvend, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29, Partia Demokratike e Kosovës me 25, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate me 14, Lista Serbe me 10 dhe partitë e komuniteteve joserbe me 10 ulëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.
Ankandi i pesëmbëdhjetë për vitin 2024 do të mbahet më 3 dhj...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor
Kurti merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të Stadiumit të ...
Rama fton të gjithë të ndjekin në 4K filmin e realizuar në 1...
Kurti merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Me...