Google ADS

Biseda me Radoiçiqin, Qalaj kërkon përjashtimin e Kusari Lilës nga Parlamenti dhe hetimin e saj nga AKI-ja

15:41 | 10 Tetor 2024
E.K

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka shprehur shqetësim të thellë pas publikimit të një incizimi, ku dokumentohet një komunikim mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari Lila, dhe kriminelit dhe terroristit, Millan Radoiçiq.

Qalaj për Arbresh.info, e quan të papranueshme faktin që një subjekt politik i Kosovës të bashkëpunojë me individë të përfshirë në listën e zeza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Është një shqetësim i madh, sepse u dokumentua në incizimi që e pamë para disa ditësh që ka pasur një komunikim të drejtpërdrejt në mes të kryetares së grupit të LVV Mimoza Kusari Lila dhe terroristit tashmë Millan Radoiçiqit, dhe po ashtu, u dokumentua që LVV e udhëhequr nga anëtarja e Grupit Parlamentar është koordinuar dhe ka bërë kërkesë që Lista Serbe të përkrahë kërkesat e LVV në lidhje me pagën minimale dhe me emërimin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese për mua është shqetësuese jo fakti që Mimoza Kusari Lila ka biseduar me deputetin Simiq. Pra, është shumë shqetësuese që ka biseduar direkt me një person me të
cilin ka biseduar ka qenë në listën e zezë të ShBA-së dhe është e papranueshme që një subjekt politik të koordinohet me të për veprime parlamentare në kuvend”, thotë ai.

Qalaj thotë se do të kërkojë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) të hetojë Mimoza Kusari- Lila.

“Po mendoj që u mbetet qytetarëve të shohin se kush është duke i udhëheqë dhe mendoj që na mbetet ne si deputetë në Parlamentin e Kosovës të diskutojmë për këtë çështje në seancë, ku do të insistojmë që ta kemi në rendin e ditës dhe do të kërkojmë që deputetja Kusari- Lila të mos jetë më pjesë e Parlamentit të Kosovës dhe unë personalisht do të kërkojë prej autoriteteve të sigurisë sidomos AKI që ta shpallë Mimoza Kusari Lilën si një rrezik të papranueshëm për Kosovën”, shprehet Qalaj.

Ai gjithashtu shprehu dyshime nëse do të publikohen incizime të reja, duke e parë situatën si një demaskim të pushtetit dhe një bashkëpunim të dyshimtë me Lista Serbe.

“Unë nuk e di se a do të publikohen video-inçizime të reja nuk e di nuk jam në ngjare dhe skam ide por nuk mendoj që është një luftë hibride por është një demaskim që i bëhet pushtetit dhe po del që ata më së shumti kanë bashkëpunuar me listën serbe veçanërisht me Millan Radojqiqi,”, përfundon ai./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme