Bildt: Vuçiq ka interes të provokojë tension në veri

18:42 | 26 Maj 2023
K.B

Diplomati suedez, Carl Bildt, konsideron se presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i konvenon situata e tensionuar në veri të Kosovës.

Ish-ministri i jashtëm suedez i cili e njeh Ballkanin prej kohësh në një postim në Twitter ka thënë se presidentit serb i nevojitet tensioni në Kosovës për arsye të problemeve të brendshme në Serbi.

“Është Vuçiq që ka interes të provokojë tension për të larguar vëmendjen nga më shumë çështje të brendshme në Serbi Sido që të jetë sfondi, situata Serbi-Kosovë po përkeqësohet qartë – përsëri!”

Ndryshe, sot ka qenë dita e parë e punës për kryetarët e rinj të komunave të veriut një ditë pas dhënies së betimit pas zgjedhjeve të mbajtura para pak kohësh.

Qytetarët serbë kanë vendosur që t’i pengojnë ata për të shkuar në zyret e tyre. Një gjë e tillë ka bërë që aty të shkojë edhe Policia e Kosovës.

Ka qenë ky momenti kur situata është përshkallëzuar dhe Policia e Kosovës është sulmuar, me ç’rast janë lënduar disa policë e edhe janë djegur disa vetura.

Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim zyrtarë rreth të gjitha zhvillimeve të deritanishme në veri të vendit.

Sipas njoftimit të policisë, nga tensionet në veri deri tash kanë pësuar lëndime të lehta trupore pesë zyrtarë policorë, raporton Arbresh.info.

Po ashtu, katër vetura kanë pësuar dëme si pasojë e sulmeve të protestuesve serbë ndaj policisë.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë”, bënë të ditur policia.

Krejt kjo erdhi pasi disa serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave, për të mos lejuar kryetarët e rinj të hyjnë në komunë.

“Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve të komunave në vendet e tyre të punës, pranë hyrjeve të objekteve komunale të tri komunave janë tubuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe stafit përcjellës në objektet zyrtare të komunave. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve/mjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime”, thuhet në njoftim.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme