BIK-u reagon për aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së

15:23 | 11 Gusht 2020
Arbresh.info

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë.

Në reagim, BIK thotë se me shqetësim kanë ndjekur veprimet e drejtësisë ndërkombëtar ndaj Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Me ç’rast kanë theksuar se konsiderojnë veprim politikë komunikatën e publikuar nga prokurorët ndërkombëtarë për presidentin Thaçi.

“Me shqetësim të thellë kemi ndjekur veprimet e drejtësisë ndërkombëtare ndaj presidentit të vendit, z. Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë për presidentin Thaçi, duke u bazuar në momentin e bërjes së saj publike, e konsiderojmë veprim politik që dëmton së pari vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës, dhe së dyti, konsiderojmë se, në emër të drejtësisë, po mëtohet të atakohen e përdhosen kauza dhe misioni UÇK-së për lirinë e vendit”, thuhet në reagimin e BIK.

Tutje shkruhet se, “Atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën. Ne i bashkohemi fuqishëm zërit të popullit që kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, duke e vlerësuar të paprecedent qasjen e drejtësisë ndërkombëtare, që kohë më parë publikuan edhe një njoftim për një aktakuzë të pakonfirmuar ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçit dhe z. Kadri Veselit”, shkruhet tutje në reagim.

Më tej, BIK thekson se publikimi i aktakuzës nga prokurorët, nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe se përbënë shkelje të të drejtave të njeriut.

“Ky veprim, përveç që s’ka të bëjë me drejtësinë përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë. Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje. E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë. Ne besojmë dhe angazhohemi për drejtësi, por konsiderojmë se me veprime të padrejta, selektive e të njëanshme nuk mund të vendoset drejtësia”, përfundon reagimi i BIK.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme