Google ADS

Bien temperaturat, QMF-ja e Fushë Kosovës punën në shatorë e zhvendosë në barakë

12:16 | 1 Nëntor 2020
Arbresh.info

Tashmë ka filluar rënia e temperaturave, dhe të ftohtit ka detyruar institucionet shëndetësore të bëjnë zgjidhje në lidhje me shatorët që kanë shfrytëzuar gjatë verës për të trajtuar qytetarët.

Për dallim nga vendet e tjera, Qendra e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, tashmë ka bërë zgjidhje për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, raporton arbresh.info.

Ata po punojnë në një barakë më komode të siguruar me ndihmën e Drejtorisë së Shëndetësisë, duke shmangur kështu të ftohtin.

Drejtori i QKMF-së, Osman Magjera, tregon se edhe vera ka qenë e pa përshtatshme për të trajtuar pacientët në shatorë.

“Prej fillimit ne i kemi pasur edhe dhomat brenda në klinikë për personat e dyshimtë ndërsa ata që janë me COVID-19 terapinë e marrin në këtë kontejner. Lidhur me stafin, Fushë Kosova vuan me mungesë të stafit, pasi që kemi banorë të mbipopulluar, por me ndihmën e ministrisë po ia dalim, në fillim kemi pasur edhe staf të infektuar”, u shpreh Magjera.

Ndonëse thotë që përkundër mbipopullimit të kësaj komune nuk kanë pasur fluks të pacientëve me COVID-19 dhe se ky objekt me dy shtretër është i mjaftueshëm për momentin.

Kjo pasi që kjo qendër ka ndarë edhe dy dhoma të tjera brenda objekti për personat e dyshuar.

Derisa thotë se në rast se dimri do të jetë i vështirë do të mundohen të gjejnë një zgjidhje tjetër.

Ai tregon se mundohen që pacientët e dyshuar mos të kenë kontakt me pacientët e sëmundjeve të tjera që kërkojnë trajtim.

“Prej fillimit ne i kemi ndarë këto dy dhoma për personat që janë vetëm të dyshuar. Tash kjo dhomë është ku bëhet trajtimi i pacientëve të dyshimtë por jo edhe pacientët pozitiv. Pacientet që janë të dyshimtë përcillen nga stafi shëndetësor dhe mundohemi që mos të lejojmë kontakt me pacientët e sëmundjeve të tjera dhe jo me COVID-19”, deklaron drejtori.

E për dallim nga këtu, në qendrat e tjera në komunat e vendit vazhdon edhe në këto kohë të ftohta të kryhen ekzaminimet në tendat e siguruara nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Për këtë Ministria e Shëndetësisë ka një përgjigje.

Për arbresh.info, Zyra për Informim në këtë ministri ka thënë se tendat janë përdorur për arsye te sigurisë, derisa vlerësojnë se Qendrat janë të lira që të bëjnë organizimin e punës në përputhje me protokollin.

“Tendat janë përdorur për arsye te sigurisë, që të dyshuarit për Covid gjatë marrjes së mostrave të testimeve të mos kenë kontakte me persona të tjerë. Përndryshe mjaft QKMF kanë dedikuar hapësira për personat e dyshuar për Covid-19 dhe janë të lira që ta organizojnë vet punën në përputhje me protokollet e sigurisë, pra rastet që shkojnë aty për trajtim ose dhënie të mostrave për COVID”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ndryshe edhe Kosova është duke përjetuar rritjen e rasteve të infektimeve sikurse edhe vendet e tjera të rajonit dhe Evropës./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme