Kosova nuk po duket aq atraktive në sytë e investitorëve të huaj. Krahasuar me vitin 2007, investimet pothuajse janë përgjysmuar.
Sipas njohësve të ekonomisë, arsye për rënien e investimeve është situata politike në vend.
Ndërkohë, edhe gjatë vitit të kaluar, shtetet që kanë investuar më së shumti në vend mbeten Gjermania e Zvicra.
Investimet e huaja në vend po shënojnë rënie me kalimin e viteve. Milionat që dikur derdheshin në Kosovë, tash po investohen në shtetet e tjera të rajonit.
Sipas njohësve të ekonomisë, arsyeja pse po ikin investitorët nga vendi është politika.
Por, pavarësisht situatës politike e zgjedhjeve të shpeshta në vend, disa shtete nuk kanë hequr dorë nga investimet në Kosovë.
Në Bankën Qendrore të Kosovës deklarojnë se shtetet që investojnë më së shumti në Kosovë janë Gjermania dhe Zvicra. Përveç tyre, miliona euro në vend kanë investuar edhe SHBA’të, Shqipëria dhe Sllovenia.
Zëdhënësi i BQK’së, Kushtrim Ahmeti ka thënë se sektori kryesor në të cilin investojnë këto shtete është ai i patundshmërive, pasuar nga shërbimet financiare dhe ndërtimtaria.
“Gjatë vitit 2019, Gjermania dhe Zvicra kanë qenë dy shtete kryesore që kanë investuar në Kosovë. Të dyja së bashku përbëjnë 50 për qind të totalit të investimeve për periudhën janar-tetot 2019. Pas tyre është SHBA, Shqipëria dhe Sllovenia (me 12%, 6% respektivisht 4% ndaj totalit të investimeve direkte)”, deklarojnë në BQK.
Vetëm deri në tetor të 2019’s, vlera e investimeve të huaja shkon në 257 milionë euro.
“Duke u bazuar në të dhënat që i kemi, lista e shteteve prej nga vijnë investimet e huaja direkte është e pa ndryshuar, por renditja është e ndryshme. Për shembull, vitin e kaluar ka pasur më shumë investime nga Zvicra, kurse këtë vit dominon Gjermania”, thuhet në përgjigjet e BQK’së drejtuar Gazetës Express.
Por, bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës, vendi nuk po i tërheq më investitorët e huaj sikurse dikur.
Përderisa në vitin 2007’të, vlera e investimeve të huaja kapte një shifër prej 440 milionë euro, tash mezi e kalon 200 milionëshin.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në rënien e investimeve përgjatë viteve ka ndikuar situata politike në vend dhe mungesa e vendimmarrjes.
Rukiqi thotë se edhe këto zgjedhje pritet që të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e vendit për të bërë biznes.
“Jo stabiliteti politik, përkatësisht krizat politike, mungesa e vendimmarrjes, ciklet e shpeshta zgjedhore, kanë ndikim negativ në nxitjen e investimeve. Edhe ky cikël zgjedhor dhe sidomos vonesat në krijimin e institucioneve të reja do të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e vendit për të bërë biznes”, ka thënë Rukiqi.
Për rënien e investimeve në vend, kishin reaguar edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Kreu i OEAK’së, Arian Zeka, kishte fajësuar Ministrinë e Tregtisë e Industrisë për këtë, përderisa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e kishte pranuar se vendet rajonale ofrojnë kushte më të mira për investitorë.
“Këtu ne si OEAK kemi thënë se faji i takon MTI-së, Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve të Kosovës “Kiesa”, i cili është dashur të ishte shumë më i zëshëm, shumë më dinamik në promovimin e mundësive për të investuar në vend”, kishte thënë Zeka.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...