Bie shkalla e lindshmërisë në Kosovë, këta janë faktorët

11:10 | 10 Qershor 2018
Arbresh.info

Në republikën e Kosovës ka rënë dukshëm shkalla e lindshmërisë.

Këtë e thotë Syheda Latifi–Hoxha e cila është kryeshefe e sallës së lindjes e njëkohësisht është edhe Nënkryetare e Shoqatës Obstetër të Gjinekologëve të Kosovës.

Sipas saj nataliteti në Kosovë ka pësuar rënie drastike që nga viti 2000 deri në vitin 2007, shkruan portali arbresh.info.

“Nataliteti në Kosovë është në rënie e sipër, rënia drastike ka qenë që nga viti 2000 ku kanë qenë vetëm në klinikën tonë 13 mijë e më tepër lindje ndërsa në tërë Kosovën kanë qenë 39 mijë e disa lindje. Prej vitit 2007 e tutje gradualisht, por rënia drastike ka qenë deri në vitin 2007 e tutje. Aktualisht në Kosovë i kemi 25 mijë lindje ndërsa në klinikën tonë numri i lindjeve shkon gjithmonë mbi 10 mijë, por nuk janë as 11 mijë, 12 mijë dhe 13 mijë si ka qenë përpara”, ka deklaruar Latifi-Hoxha për “Arbresh.info”.

Ajo ka përmendur edhe shkaqet të cilat kanë çuar deri tek rënia e natalitetit.

“Shkaqet janë të etiologjive ose të natyrave të ndryshme, stafi është i përgatitur të gjitha punët t’i kryejë, mirëpo Kosova është një vend që ende duket se jemi në tranzicion, është papunësi e madhe e popullatës së re dhe ato nëna të cilat janë të punësuara me doemos e ruajnë vendin e punës ngaqë nuk ka punësim të mirëfilltë në Kosovë se jemi shtet në tranzicion. Mandej mund t’i atribuohet edhe një komponentë tjetër, ka hapësirë me koperu edhe me disiplinat tjera që merren me rënien e natalitetit në Kosovë. Është se një pjesë mjaft e madhe e popullatës  vitale del jashtë shtetit tonë e reproduksionin e kryejnë moshat reproduktive pra moshat e reja reproduktive të çifteve qoftë meshkujve ose femrat”, ka treguar ajo.

Ndryshe Laifi-Hoxha ka ngritur një shqetësim për largimin e mjekëve nga Kosova sipas saj institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë për mirëqenien e tyre në mënyrë që kuadrat më të mirë mos të largohen nga vendi./R.Rexhepi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme