Biden: Një marrëveshje me njohje dhe ruajtje të integritetit territorial

08:41 | 11 Korrik 2020
Arbresh.info

Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen reciproke, por duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve.

Biden, që është kandidat demokrat për president, ka dërguar një deklaratë për gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria” në New York. Sipas tij, vendimi për rifillim të dialogut është hap vital për rajonin.

“Kam qenë mbështetës i hershëm dhe i zëshëm i paqes dhe ripajtimit në Evropën Juglindore. Vendimi nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është një hap vital përpara në këtë rajon kritik. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve si dhe përforcon institucionet e tyre demokratike, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara”, ka shkruar Biden për “Illyria”.

Ai vlerëson se marrëveshja do të fuqizonte sigurinë e të dy vendeve, do të shtynte para aspiratën për anëtarësim në BE dhe institucione tjera.

Për një marrëveshje të tillë, sipas Biden, kërkohet bashkëpunim ndëratlantik.

“Historia na mëson se kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa udhëheqin së bashku, mund t’u japim fund konflikteve dhe t’iu hapim rrugë mundësive të reja për paqe dhe begati, në Evropën Juglindore dhe përtej. Ky partneritet nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm se sot dhe kërkon nga të gjitha palët që të punojmë së bashku drejt synimit tonë të përbashkët. Kërkon rolin udhëheqës amerikan dhe partneritet. Megjithatë administrata Trump nuk arriti të koordinohet me të dërguarit e Bashkimit Evropian, që ka ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për gati një dekadë, kur organizoi takimin në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, muajin e kaluar. Takimi në fund u anulua, por mesazhi për partnerët tanë ishte i qartë dhe i fortë. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkë me partnerët tanë evropianë dhe ju t’ua kthejmë kurrizin. Kjo është shpresa jonë më e mirë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte rrugë drejt një të ardhmeje më paqësore, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet”, vlerëson Biden.

Ai ka inkurajuar udhëheqësit e të dy shteteve që të hyjnë në bisedime me frymën e kompromisit dhe ripajtimit. Palët, sipas tij, do të kenë mbështetjen e plotë të popullit amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme