Biden letër Senatit: Rreth 561 trupa amerikanë janë në Kosovë për ta frenuar ripërtërirjen e armiqësive

00:50 | 14 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Numri një i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, në një letër drejtuar shefes së Dhomës së Përfaqësueve, Nancy Pelosi ka folur edhe për aktivitetin e trupave amerikane në Republikën e Kosovës, aktivitet për të cilin Biden thotë se shërben në parandalimin e ripërtrirjes së armiqësive në Kosovë.

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka shkruar letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për ta mbajtur të informuar rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të SHBA-së nëpër botë.

“Unë po jap këtë raport të konsoliduar plotësues, të përgatitur nga administrata ime dhe në përputhje me Rezolutën e Fuqive të Luftës (Ligji Publik 93-148), si pjesë e përpjekjeve të mia për të mbajtur Kongresin të informuar rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të pajisura për luftim”, shkruhet në letrën e Bidenit.

Presidenti Joe Biden në letrën e shkruar më 7 dhjetor, përmend edhe faktin se rreth 561 trupa amerikane janë të angazhuara Kosovë për të penguar përtrirjen e armiqësive.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në Forcën e Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga NATO në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar përtrirjen e armiqësive në Kosovë. Përafërsisht 561 pjesëtarë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara janë në mesin e rreth 4,000 pjesëtarve të KFOR-it”, thuhet në letër.

“Unë kam drejtuar pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në të gjitha operacionet e përshkruara më sipër në përputhje me autoritetin tim kushtetues dhe statutor si Komandant i Përgjithshëm dhe si Shef Ekzekutiv), si dhe autoritetin tim kushtetues dhe ligjor për të kryer marrëdhëniet e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët e administratës sime dhe unë komunikojmë rregullisht me udhëheqjen e kongresit, komitetet përkatëse të kongresit dhe anëtarë të tjerë të Kongresit në lidhje me këto vendosje, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, përfundon letra.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme