Betohet anëtari i ri i KPK-së nga radhët e Odës së Avokatëve, Mustafë Nuhiu

16:25 | 18 Qershor 2024
E.G

Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Ardian Hajdaraj, mbajti takimin e 249-të.

Sipas njoftimit, në fillim të takimit ka dhënë betimin anëtari i ri joprokuror i Këshillit Prokurorial nga radhët e Odës së Avokatëve të Kosovës, Mustafë Nuhiu, i cili është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, me ç’rast Kryesuesi Hajdaraj i uroi mirëseardhje, duke i dëshiruar punë të suksesshme në mandatin e tij.

– Vendimet që u morën në takimin e sotëm janë si vijojnë, me ç’rast Këshilli Prokurorial i Kosovës:

– Miratoi raportet përfundimtare të vlerësimit për përmbushjen e trajnimit fillestar për prokurorët e shtetit të gjeneratës së dhjetë dhe vendimin e Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë;

– Miratoi Raportin vjetor të punës për vitin 2023 të Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, së bashku me një rekomandim të anëtarëve të KPK-së;

– Miratoi Rregulloren për Procedurën e Rekrutimit, Pranimit, Emërimit dhe Punës Provuese për të Punësuarit në Administratën e Sistemit Prokurorial, së bashku me shtojcat përkatëse;

– Miratoi Rregulloren për Planifikimin e Personelit, së bashku me shtojcat përkatëse;

– Miratoi Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Stafit Administrativ në Sistemin Prokurorial të Kosovës;

– Miratoi Kërkesën Buxhetore për vitin 2025 dhe Vlerësimet e Hershme për vitet 2026-2027;

–  Formoi një grup punues për hartimin e raportit që do të përmbajë analizën dhe rekomandimet për rishikimin e skemës së kompensimit;

– Formoi një grup punues për shqyrtimin e mundësisë së përfshirjes së anëtarëve joprokurorë në komisionet e KPK-së;

–  Aprovoi propozimet për publikimin e vendimeve disiplinore nga autoritetet kompetente dhe për publikimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për Vlerësim të Performancës  dhe

–   Mbajti seancë dëgjimore lidhur me rastin disiplinor ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa vendimi do të bëhet publik sipas ligjeve në fuqi./Arbresh.info/

Të ngjashme