Google ADS

Betohen 35 vullnetarë të grupit të katërt të Korpusit të Paqes në Kosovë (VIDEO)

11:02 | 17 Gusht 2017
Arbresh.info

Është zhvilluar sot ceremonia e betimit të Grupit të Katërt të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë.

 Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Grupi i vullnetarëve do të shërbejnë në Kosovë për dy vite në kuadër të programit arsimor në gjuhën angleze pranë Korpusit të Paqes në Kosovë, si mësues të gjuhës angleze, shkruan Arbresh.info.

Në këtë ngjarje u falënderuan familjet e vullnetarëve për punën e tyre për të shërbyer në Kosovë.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant tha se 35 vullnetarët e rinj do të ballafaqohen me sfida të reja dhe me një kulturë të re.

“Ne jemi sot këtu që të shohim 35 amerikanë që marrin detyrën për të jetuar larg shtëpive të tyre, larg familjes dhe miqve. Detyra e tyre është që të kuptojnë sfidat, rregullat e ndryshme dhe falë zotit makiatot shumë të shijshme”, ka thënë Grant.

Më 8 qershor të vitit 2014, në Kosovë pati zbarkuar grupi i parë i Vullnetarëve të Korpusit të Paqes të SHBA-ve.

Që kur Presidenti John F. Kennedy themeloi Korpusin e Paqes me anë të një urdhri ekzekutiv me 11 mars 1961 më shumë se 215,000 amerikanë kanë shërbyer në 140 shtete nikoqire.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes duhet të jenë shtetas të SHBA-ve dhe mbi 18 vjeç. Shërbimi në Korpusin e Paqes është një angazhim 27-mujor dhe misioni i agjencisë është që të promovojë paqen dhe miqësinë botërore dhe të kuptuarit më të mirë mes amerikanëve dhe popujve të shteteve tjera./arbresh.info

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme