Beteja 22 vjeçare për largimin e trafos nga ndërtesa

17:24 | 23 Maj 2018
M. A.

Padia ndaj KEDS me pretendimin se rrezatimi jo-jonizues i trafostacionit ka dëmtuar shëndetin e Feti Hetemit.

Feti Hetemi, mjek nefrolog nga komuna e Vitisë, baba i gjashtë fëmijëve ka paditur KEDS-in për një trafostacion të energjisë elektrike i cili është i vendosur nën apartamentin e tij, në vitin nga vitet e 80-ta.

Ai për 27 vjet ka jetuar në katin e parë të ndërtesën “Solidariteti”, në rrugën “Adem Jashari” në qytetin e vogël të Vitisë. Në podrumin e kësaj ndërtese është trafostacioni 630 KW, i vendosur në vitet e 1985-86, që shërben për të furnizuar me energji elektrike gati gjysmën e komunës së Vitisë.

Hetemi pretendon se rrezatimi jo-jonizues të cilin e emeton ky trafostacion i vendosur nën apartamentin e tij, për kohën sa ka jetuar aty (për 27 vite) i ka dëmtuar shëndetin e tij dhe të bashkëshortes së tij, e cila ka ndërruar jetë.

Thotë se për shumë vjet kishte fjetur mbi trafo.

“Unë me bashkëshorten e ndjerë kemi fjetur në kuzhinë. Për 27 vjet prej 35 viteve sa kam jetuar aty kam fjetur në kuzhinë mbi atë trafostacion”, ka thënë Hetemi për Gazetën JnK.

Pas një dokumentari që kishte parë në vitin 1996 për rrezikun që mund të vijë nga kjo trafo, ai e kishte bërë kërkesën e parë për largimin e saj. Për shkak të pushtetit të atëhershëm nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim për largimin e saj.

Betejën për largimin e trafos e kishte vazhduar edhe pas vitit 1999. Feti Hetemi kishte mbledhur nënshkrimet e shumë banorëve që jetonin në banesën ‘Solidariteti’ në vitin 2000 dhe kishte dërguar kërkesën për largimin e trafos në Këshillin Komunal. Por edhe kjo përpjekje nuk pati rezultat.

Padia ndaj KEDS

Trafo 630 KW ishte vendosur në mes të viteve 1984-1987. Deri para 5 viteve Hetemi ka jetuar në banesën e njëjtë nën të cilën është e vendosur trafo e energjisë elektrike për të cilën ai pretendon se i ka shkaktuar dëme në shëndetin e tij dhe të bashkëshortes së tij të cilët kanë fjetur për 27 vite mbi të.

Pasi Hetemi me familje kanë vendosur të jetojnë në një shtëpi në komunën e Vitisë, apartamenti nën të cilin është e vendosur trafostacioni i energjisë elektrike është shndërruar në një lokacion ku njëri nga djemtë e Feti Hetemi bashkë me bashkëshorten e tij janë duke zhvilluar një biznes.

Në muajin tetor të vitit 2014, KEDS kishte vendosur që ta ndërronte trafon 630 KW nën banesën e Feti Hetemit me një trafo tjetër me kapacitet 1000 KW.

Këtë gjë nuk e ka pranuar Feti Hetemi. Ai ka bërë kërkesë në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore për të ndaluar punimet për vendosjen e trafos me kapacitet edhe më të madh. AKMRrSB kishte vendos për ndërprerjen e punimeve për ndërrim të trafos nga ana e KEDS.

“Vendim për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve nga ana e kompanisë KEDS që kanë të bëjnë me punimet në trafostacionin e energjisë elektrike në ndërtesën ‘Solidariteti’, rruga “Adem Jashari” në qendër të Vitisë deri në vendimin e radhës së AKMRrSB-së”, thuhet në vendim.

Feti Hetemi, Viti. Foto: Kallxo.com

Sipas vendimit të AKMRrSB-së çdo aktivitet i kryer nga kompania KEDS në këtë trafostacion nga data e nxjerrjes së vendimit do të llogaritej si aktivitet i kundërligjshëm dhe do të sanksionohej.

Në të njëjtën kohë Hetemi kishte paditur KEDS-in në Gjykatën Themelore të Gjilanit – Dega në Viti e cila në nëntor të vitit 2014 kishte dalë me vendim që të ndaloheshin punimet për rritjen e kapacitetit të trafos.

“Aprovohet, masa e përkohshme e paditësit Feti Hetemi nga Vitia, për lejimin e masës së përkohshme ndaj të paditurës KEDS me bazë juridike, ndërprerja e punëve në trafostacionin elektrik në ndërtesën ku banon paditësi”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Hetemi ka thënë për Gazetën JnK se padia e tij ndaj KEDS-it është drejtuar në tri rrafshe.

“E para, të ndërpritet çfarëdo mundësie e rritjes së kapaciteteve rrezatuese, tjetra, të largohet sa më parë e të mos ekspozohen më familja me këtë rrezatim jo-jonizues e kjo padi po zgjatë tash e katër vjet. Pjesa e tretë e padisë, nëse konstatoj se shumëfish më ka ekspozuar, unë duhet me shku me një qendër të madhe, në Zagreb, Lubjanë, Paris, Vjenë me konstatu a është me të vërtetë ajo komë cerebrale pasojë e kësaj trafo”, ka rrëfyer Hetemi.

Madje ai ka thënë se dëshira e tij ka qenë që ekspertiza të realizohej nga ekspertë të vendeve të BE-së, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të shumës së madhe të parave që kërkohej.

“Nuk kam qenë se kushton shumë pare, unë deri tash i kam harxhuar afër 5 mijë euro, me dy ekspertiza, me dy padi, me avokat, me gjykata, për me shku aty duhen nja 10 ose 15 mijë euro më së paku”, ka treguar Hetemi.

Apeli kthen dy herë vendimin Gjykatës Themelore për largimin e trafos

Vendimi i parë i Gjykatës Themelore të Gjilanit – Dega në Viti për largimin e trafostacionit është dhënë në vitin shtator të vitit 2015.

“Miratohet propozimi për lejimin e masës siguruese të propozuesit Feti Hetemi nga Vitia ndaj kundërshtarit të sigurimit KEDS nga Prishtina që ta zhvendosë (largoj) trafon elektrike 630 KW ku është vendosur në ndërtesën e banimit në afërsi të banesës së propozuesit nr.3 kati i I-rë, ndërtesa e NLB Bank rr. “Adem Jashari” pa nr. Viti dhe ta vendosi në vendin adekuat ku nuk do ta pengoj propozuesin në të ardhmen” thuhet në vendimin e lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit – Dega në Viti në vitin 2015.

Por ky vendim i Gjykatës Themelore është prishur nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës në janar të vitit 2016.

“Vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë, kjo gjykatë nuk mund ta pranoj si të rregullt dhe të ligjshme për arsye se aktvendimi i atakuar është përfshirë me të meta thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore të nenit 188.2 pika n dhe nenit 300.3 të LPK-së”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu gjykata vlerësoi sipas detyrës zyrtare në kuptim të nenit 194 të LPK-së, shkeljet qenësore të cilat gjykata e shkallës së parë i kishte bërë me rastin e vendosjes.

“Meqenëse aktvendimi i ankimuar ka të meta për shkak të cilave nuk mund të ekzaminohet dispozitivi i aktvendimit është kontradiktor me vetveten dhe me arsyet e aktvendimit, aktvendimi nuk ka fare arsye ngase të njëjtat janë të paqarta dhe kontradiktore, faktet vendimtare janë kundërthënëse midis asaj që në arsyet e aktvendimit thuhet”, vazhdon vendimi i Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti përsëri në janar të vitit 2017 ka shqyrtuar vendimin e kthyer nga Gjykata e Apelit. Sërish ka vendosur në favor të Hetemit.

“Gjykata konsideron se në rastin konkret rrezatimi është potencial për propozuesin dhe familjen e tij nga rrezatimi i mëtutjeshëm dhe mund të sjellë pasoja të mëdha edhe në jetën dhe shëndetin e propozuesit dhe familjes së tij nga rrezatimi elektromagnetik i trafos prezente dhe nga kjo bazë trafoja duhet të zhvendoset nga pozita e tanishme dhe duhet të vendoset në një vend tjetër ku nuk do të ndikonte në shëndetin e njerëzve dhe të propozuesit”, potencohet në vendimin e Gjykatës Themelore – Dega në Viti.

Edhe ky vendim i Gjykatës Themelore u anulua nga vendimi i Gjykatës së Apelit në maj të vitit 2017.

“Vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë, kjo gjykatë nuk mund ta pranoj si të rregullt dhe të ligjshëm për arsye se nuk janë marrë parasysh vërejtjet e dhëna sipas aktvendimit të 21 janarit të vitit 2016, të Gjykatës së Apelit, si dhe aktvendimi i atakuar është përfshirë me të meta thelbësore të dispozitave të procedurave procedurës kontestimore të nenit 182.2 pika n dhe nenit 300.3 të LPK-së”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti për herë të tretë e ka miratuar propozimin e paditësit Feti Hetemi nga Vitia dhe ka detyruar KEDS-in ta largoj trafon.

“Caktohet masa siguruese ndaj kundërshtarit të sigurimit të KEDS në Prishtinë në trafon elektrike 630 KW dhe detyrohet e paditura – kundërshtari i sigurimit ta zhvendosi trafon ku është vendosur në ndërtesën e banimit në afërsi të banesës së propozuesit nr.3 kati i I-rë, ndërtesa e NLB Bank rr. “Adem Jashari” pa nr. Viti dhe ta vendosi në vendin adekuat ku nuk do ta pengoj propozuesin në të ardhmen”, është theksuar në vendimin e Gjykatës Themelore.

KEDS përsëri është ankuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega e Vitisë dhe Gjykata e Apelit ende nuk ka dalur me vendim.

Dy ekspertizat në kundërshtim me njëra tjetrën

Me propozimin e Feti Hetemit, Gjykata Themelore kishte kërkuar ekspertizë nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq për vlerësimin mbi matjen e intensitetit të rrezatimit elektromagnetik në banesën ‘Solidariteti’ ku është vendosur trafo. Kjo ekspertizë iu dorëzua Gjykatës në muajin shkurt të vitit 2015.

Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq thotë se e ka realizuar ekspertizën duke u bazuar në standardin ICNIRP Guidelines for Limiting Exposure to Time‐Varying Electric, Magnetic and Elecromagnetic Fields (up to 300 GHZ).

Në këtë ekspertizë konstatohej se kjo trafo nuk paraqet rrezik për shëndetin e banorëve, por nga ana tjetër sugjeronte që trafo të largohej nga pozita aktuale.

“Trafoja elektrike në fjalë nuk paraqet rrezik për shëndetin e banorëve, vlerat e matura të intensitetit të rrezatimit elektromagnetik nuk i tejkalon vlerat sipas standardeve ndërkombëtare dhe sugjerohet që trafoja të zhvendoset nga pozita aktuale në parkingun aktual (te garazhet) duke iu përshtatur kushteve të sigurisë së banorëve që mos të ndikohet nga burimet e tilla të rrezatimit”, theksohet në ekspertizën e Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq.

Sehad Kadiri, kreu i Shërbimit për Mbrojtjen nga Rrezatimi në Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq i cili ka qenë njëri nga ekspertët të cilët kanë bërë matjet në banesën e Feti Hetemit ka thënë për Gazetën JnK se vlerat e matura nuk kanë tejkaluar kufijtë ndërkombëtarë.

“Në pyetjen e gjykatësit, “…sipas matjeve tuaja, vlerat e rrezatimit a i tejkalojnë vlerat limite sipas standardeve ndërkombëtare?”, unë jam përgjigjur, se të gjitha vlerat e matura në të gjitha pozicionet, janë brenda vlerave standarde sipas ICNIRP”, ka thënë Kadiri.

Kadiri ka thënë për Gazetën JnK se standardi për intensitet të fushës elektrike është 250/f (f-paraqet frekuencën që në rastin konkret është 50 Hz).

“Pra, standardi për intensitet të fushës elektrike (për publikun) është, (250/50) V/m = 5 V/m. Siç mund të shihni në raport, vlerat mesatare të asnjë pozite nuk i tejkalojnë limitet e këtij standardi (5 V/m)”, ka thënë Kadiri për Gazetën JnK.

Ekspertiza e realizuar nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq është kontestuar nga Feti Hetemi, i cili ka kërkuar një superekspertizë. Por pasi gjykata ka konstatuar se një ekspertizë e tillë nuk mund të bëhet në Kosovë me 11 mars të vitit 2015 ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që ta caktoj një nga shtetet e BE-së për superekspertizë.

Ministria e Drejtësisë i ktheu përgjigje gjykatës me 20 mars ku thuhej “kjo është çështje civile dhe vetë pala paditëse duhet ta kryej këtë veprim, pasi që shpenzimet për superekspertizë i mbulon pala paditëse-tani propozuesi”.

Feti Hetemi i kishte propozuar Gjykatës që ekspertizën ta kryej Komisioni i Mbikëqyrjes nga Rrezatimi Jo-jonizues i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata e caktoi Komisionin e Mbikëqyrjes nga Rrezatimi Jo-jonizues i Republikës së Shqipërisë për të realizuar superkespertizën.

Ky Komision në gjykatë është përfaqësuar nga eksperti Partizan Malkaj, i cili është autorizuar paraprakisht nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB) në qershor të vitit 2015.

Partizan Malkaj ka realizuar ekspertizën duke iu referuar Rekomandimeve të Këshillit Evropian, të datës 12 korrik 1999, nr 1999/519/EC “On the limitation of exposure of the gjeneral public to electromagnetic field (0 Hz deri 300 GHz) e cila është publikuar në fletoren zyrtare të Komunitetit Evropian me datë 30 korrik të vitit 1999.

Sipas rekomandimeve të Këshillit Evropian vlerat e referencës për ekspozimet për një kohë të gjatë të publikut pranë fushave magnetike të prodhuara nga burime të valëve elektromagnetike duhet të jetë 5/f, ose 5/50Hz=0.1 mikro Tesla.

Ekspertiza e Malkajt konstatonte se vlerat e matura në banesën e Feti Hetemit ishin disa herë më të larta se vlera referente prej 0.1 mikro Tesla.

“Vlerat e matura brenda apartamentit te Feti Hetemi, në pikat 1,2,3,4 janë përkatësisht, 50 mikro Tesla, 48 mikro Tesla, 48 mikro Tesla dhe 45 mikro Tesla. Po ashtu në zonën e quajtur recepsion, vlera e matur e rrezatimit është 45 mikro Tesla. Siç shihet, këto vlera janë disa herë më të larta krahasuar me vlerat referente”, thuhet në ekspertizën e realizuar nga Partizan Malkaj.

Në këtë ekspertizë u konstatua gjithashtu se në ambientet ku është instaluar trafo mungon sinjalistika e duhur lidhur me rrezikshmërinë e tij si, “Kujdes Tension i lartë, vlera e fashotransformatorit etj”.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala nuk ka dashur të komentojë për procedurën gjyqësore që është në proces për rastin e trafos së vendosur në Viti.

“Rasti në fjalë është në procedurë gjyqësore dhe KEDS nuk i komenton këto raste deri në përfundim të procesit, për shkak se nuk ka për qellim në asnjë rrethanë të interferojë në proces”, tha Buzhala.

Rreziku nga rrezatimi

Ai është thirrur në raportin e Instituti i Mjekësisë së Punës, i cili ka konstatuar se rrezatimi është brenda parametrave të lejuar.

Por, Buzhala ka thënë se ende nuk është konstatuar nëse rrezatimi jo-jonizues është i rrezikshëm.

“Madje, rrezatimi i këtij lloji nuk dihet ende a është i rrezikshëm apo jo. Shkencëtarët me renome botërore të lëmisë se rrezatimit tash e 3 dekada merren me studime të ndryshme lidhur me impaktin e Rrezatimit Jo-jonizues në shëndetin e njeriut dhe nuk kanë ardhë në konkludime se mund të shkaktojë ndonjë sëmundje serioze”, ka thënë Buzhala.

Buzhala madje ka thënë se rrezatim jo-jonizues lëshojnë të gjitha pajisjet shtëpiake, sidomos telefonat, Televizori, por edhe antenat e kompanive telekomunikuese.

“Pra, po flasim për një rrethanë të zakonshme që ekziston në secilën familje të botës që jeton në kushte urbane, prandaj ju kishim lutur ta trajtoni këtë si diçka normale”, thotë zëdhënësi i KEDS-it.

Rreziku shëndetësor për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimeve jo-jonizuese ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shumë vonë.

Për herë të parë në vitin 1977 Shoqata Ndërkombëtare e Mbrojtjes nga Rrezatimi vendosi disa objektiva për sa i përket ekspozimit ndaj rrezatimit jo-jonizues.

Ndërsa në vitet 90-ta është krijuar Komisioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes nga Rrezatimi Jo-jonizues.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe Komisioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes nga Rrezatimi Jo-jonizues kanë botuar materiale dhe udhëzues për sa i përket masave mbrojtëse dhe kufijtë e niveleve të ekspozimeve ndaj këtij rrezatimi për punonjësit dhe publikun.

Shume qendra botërore ndërkombëtare janë fokusuar në efektet shëndetësore të këtij rrezatimi.

“Studimet e kryera te kafshët kanë treguar që rrezatimi jo-jonizues me frekuencë 200 MHz deri në 24 GHz, është vdekjeprurës për organizmat e gjalla në rastin kur si rezultat i ekspozimit ndaj tij, ndodh rritja e temperaturës së trupit me vlera që janë mbi aftësinë hemostatike te organizimit (>50 C)”, ka thënë profesori i Departamentit të Fizikës, Gazmend Nafezi.

Sipas tij studimet epidemiologjike, të kryera në grupe të caktuara të njerëzve, ende nuk kanë treguar në mënyre të qartë ndonjë lidhje të qëndrueshme ndërmjet rrezatimit jo-jonizues dhe shfaqjes së sëmundjeve malinje ose hereditare.

Profesori në Departamentin e Fizikës në UP, Gazemnd Nafezi ka thënë për Gazetën JnK se të gjitha pajisjet shtëpiake elektrike si TV, radio, pajisjet e amvisërisë, kompjuteri, telefoni e po ashtu edhe linjat e transmetimit krijojnë rreth vetes një fushë elektrike dhe magnetike.

“Por këto fusha janë më të fuqishme kur intensiteti i rrymës që kalon nëpër pajisje ose përçues është më i madh dhe sa me afër burimit”, ka thënë Nefezi.

Fusha elektrike rrjedh për shkak të ngarkesës elektrike ndërsa ajo magnetike është fushë për shkak të rrjedhjes së rrymës elektrike nëpër përçues ose pajisje.

Gazemnd Nafezi ka thënë për Gazetën se për shkak të përdorimit shumë të gjerë në jetën e përditshme dhe gjithnjë e më shumë të pajisjeve të ndryshme elektrike dhe elektronike kohët e fundit, edhe rrezatimi jo-jonizues ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe është bërë objekt i shqetësimit të publikut.

Kosova nuk i ka përcaktuar kufijtë e rrezatimit jo-jonizues

Në Kosovë legjislacioni për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore ka ekzistuar që nga viti 2010 kur ka hyrë në fuqi ligji i parë. Ligji për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore i vitit 2010 u shfuqizua nga ligji me të njëjtin emër i vitit 2012.

Gjatë kësaj periudhe është hartuar edhe ligji i ri “Për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore” i cili në dhjetor të vitit 2017 është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ligji i ri për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe është publikuar në gazetën zyrtare me 27 prill të vitit 2018.

Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila operon nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit, ka thënë për Gazetën JnK se janë duke u përgatitur edhe rregulloret të cilat mbështesin implementimin e këtij ligji.

“Ato do të hartohen në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së dhe të cilat do të vendosin standardet bazë të sigurisë për të gjitha situatat e ekspozimit nga rrezatimi jonizues. Prioriteti i Agjencisë në këtë fazë ka qenë hartimi i legjislacionit për rrezatimin jonizues”, thuhet në përgjigjen e AMRrSB-së.

Në Ligjin për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, neni 40 trajton mbrojtjen nga rrezatimi jo-jonizues.

AMRrSB ka thënë se sa i përket rrezatimit jo-jonizues, vitin e kaluar kanë kërkuar dhe u është miratuar nga Misioni i ekspertëve të Programit TAIEX një ekspert ndërkombëtar në fushën e rrezatimit jo-jonizues.

Përmes ekspertit, i cili ka ardhur në mars të vitit 2018, AMRrSB ka thënë se do t’i identifikojnë direktivat e BE-së të cilat përfshinë rrezatimin jo-jonizues.

“Do të hartojmë planin për hartimin e rregulloreve të cilat do të transpozojnë legjislacionin e BE-së në këtë fushë”, thuhej në përgjigjen e AMRrSB-së për Gazetën JnK.

Por as në ligjin e ri që është miratuar në vitin 2018 nuk janë të përcaktuara kufijtë e dozave të rrezatimit jo-jonizues.

Por AMRrSB ka deklaruar se përcaktimi i këtyre kufijve do të bëhet kur të hartohet legjislacioni sekondar për rrezatimin jo-jonizues.

“Gjatë hartimit të legjislacionit sekondar në fushën e rrezatimit jo-jonizues do t’i përcaktojmë standardet bazë të sigurisë dhe kufijtë e dozave të rrezatimit jo-jonizues për publikun dhe punonjësit profesional për këtë fushë dhe të cilat do të jenë në harmoni me standardet e BE-së”, është përgjigjur AMRrSB.

Pika 1.4 e nenit të 7-të i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e AMRrSB-së në Ligjin e ri për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore thotë se AMRrSB kryen inspektime.

Por AMRrSB ka thënë për Gazetën JnK se nuk kanë filluar kontrollin e trafostacioneve siç edhe ishte konstatuar në ekspertizën e Partizan Malkajt se në vendin ku ndodhet trafo nën banesën ku Feti Hetemi ka jetuar për 27 vite nuk ka sinjalistikë për rrezikshmërinë e trafostacionit.

“Agjencia nuk ka filluar procesin e kontrollit të trafostacioneve. Procesi I kontrollit është i lidhur me hartimin dhe vendosjen e legjislacionit në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e AMRrSB-së.

Po ashtu AMRrSB në përgjigjen e tyre kanë thënë se madje nuk kanë hartuar ndonjë plan për vetëdijesimin e njerëzve lidhur me rrezatimin jo-jonizues.

“Në këtë fazë nuk kemi hartuar ndonjë plan komunikimi me publikun për të bërë vetëdijesimin e publikut lidhur me rrezatimin jo-jonizues”, përfundon përgjigja e AMRrSB-së.

KEDS-i nuk na ka ofruar të dhëna për numrin e trafove të vendosura nëpër objektet e banimit. E Hetemi thotë se janë edhe rreth 40 trafo të vendosura nëpër objektet e banimit kolektiv.

“Këto trafo janë kudo në Kosovë, nja 40 trafostacione, njerëzit flejnë mbi to”, ka theksuar Feti Hetemi për Gazetën JnK.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme