Google ADS

Besnik Tahiri i përgjigjet Vulinit: S’ka ndarje të Kosovës, Serbisë i ka mbetur ta pranojë realitetin

01:19 | 2 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Koordinatori nacional për Reforma Shtetërore Besnik Tahiri ka ripërsëritur se nuk ka ndarje të Kosovës. Sipas tij, Serbia duhet të pranojë sa më parë një realitet të tillë.

Komentet e zyrtarit qeveritar vijnë si reagim ndaj komenteve të Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Vulin ishte shprehur pesimist sa i përket arritjes një kompromisi të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel.

Reagimi i plotë i Tahirit:

Edhe Vulini e edhe secili zyrtarë i Beogradit duhet ta kuptojë se koha e ‘kompromisit’ ka kaluar dhe tash është koha e pranimit të realitetit. E çka është realiteti:

Kosova është e njohur nga mbi 100 shtete të botës dhe tash e 19 vjet kur e kemi fituar lirinë e 10 vite nga shpallja e pavarësisë i tërë sistemi politik dhe rregullimi institucional i shtetit është i pavarur.

Përndryshe, para më shumë se një dekade Grupi i Kontaktit ka prezantuar tri parime që kanë qenë të sakta dhe shumë të qarta:

  1. Zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këtë mënyrë, kjo do të sigurojë që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999.
  2. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe
  3. Bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër.

Çfarëdo tendence për të rikthyer në diskursin publik fjalë ‘kompromise’ është huqje dhe intencë për të prodhuar mjegull politike.

Në fakt këtë fjalë, Beogradi zyrtar po e përdorë më shumë për të qetësuar gjakrat brenda, e jo që e dinë apo që shpresojnë ne një ‘kompromis’ të madh e të ri me Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme