Besimi i luhatur në drejtësinë

09:18 | 28 Tetor 2019
Arbresh.info

Besimi i publikut në Kosovë ndaj institucioneve brenda sistemit të drejtësisë në vend është luhatur ndër vite në Kosovë, por asnjëherë nuk ka qenë në nivelin me të ulët se sa tash, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, të cilat mbikëqyrin punën e institucioneve të drejtësisë.

Sipas tyre, humbja e besimit të publikut ndaj institucioneve të drejtësisë është rezultat i faktit që për rastet më të rëndësishme, për të cilat ka pasur interes publik, organet e drejtësisë, policia, prokuroria dhe gjykatat, kanë dështuar të japin zgjidhje dhe të vënë drejtësi.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në të kaluarën ka pasur disa raste, të cilat e kanë cenuar besimin e publikut ndaj sistemit të drejtësisë, qoftë vdekje në rrethana kontestuese, qoftë vepra penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, sipas tij, rasti i vdekjes së Astrit Deharit, më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, është rasti i fundit konkret që tregon brishtësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili nuk ishte në gjendje të ofrojë një hetim të pavarur që do të sillte drejtësi, por edhe garanci dhe besim te publiku.

“Nëse marrim sferën penale, sikurse rasti (Astrit) Dehari, rasti (Dino) Asanaj, por janë edhe dhjetëra raste tjera të vrasjeve, qoftë të qytetarëve të rëndomtë apo edhe figurave politike, për të cilat organet e drejtësisë, thjeshtë, në njëfarë mënyre, janë dorëzuar para këtyre rasteve. Të njëjtat (organet e drejtësisë), në njëfarë mënyre nuk e dërgojnë mesazhin se kanë interes për t’u marrë me këto raste. Nëse marrim për bazë krimin e organizuar dhe korrupsionin, institucionet e drejtësisë, thjeshtë, kanë kapitulluar para të gjithë atyre, të cilët në mënyrë sistematike e kanë keqpërdorur buxhetin e Kosovës”, tha Miftaraj.

Ai ka shtuar që as për rastet e vdekjeve të dyshimta, për të cilat ka pasur interes publiku, por as për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë edhe rastin e ashtuquajtur “Pronto”, organet e drejtësisë nuk kanë qenë në gjendje të japin përmbyllje të qarta për rastet.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që bazuar në matjet vjetore të perceptimit të qytetarëve, të cilat i bën ky grup, tregojnë se besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë nuk është rritur. Sipas saj, natyra dhe llojet e rasteve që ndikojnë në nivelin e ulët të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, janë kryesisht të natyrës korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimi parave dhe të tjera. Në disa raste, siç thotë ajo, janë parë kontradiktat ndërmjet gjykatave të shkallëve të ndryshme, ku Gjykata Supreme ka konstatuar shkelje nga Gjykata e Apelit.

“Faktor tjetër që ndikon në uljen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, është edhe trajtimi që u është bërë rasteve, sikurse rasti ‘Pronto’, rasti ‘Vizat’, rasti ‘Tokat’ dhe të tjera. Të gjitha këto raste karakterizohen me zvarritje dhe trajtim jo të duhur nga institucionet shtetërore. Trajtimi që i është bërë rastit Dehari nga institucionet shtetërore të Kosovës, e i cili po del që nuk ka qenë i duhuri – në bazë të institutit mjekësor zviceran – bën që edhe ajo dozë besimi që ka ekzistuar, të shkojë drejt shuarjes”, theksoi Hoxha.

Ndërkaq, si një shembull te keq që çon në humbjen edhe më tej të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, Miftraj ka kritikuar reagimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka thënë se do të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të trajtuar rastin Dehari. Ai e cilëson si vetëvrasje të sistemit të drejtësisë faktin që kryeprokurori i shtetit kërkon ndihmë nga një shtet tjetër, ndërkohë që, siç thotë ai, brenda sistemit i ka rreth 200 prokurorë.

“Atëherë vet ai e dëshmon që nuk ka besim në sistemin, të cilin ai e udhëheqë dhe ai nuk ka besim te prokurorët e vet se janë në gjendje që ta trajtojnë këtë rast në mënyrë të paanshme dhe të pavarur. Në anën tjetër, me vetë faktin që numër i madh i gjyqtarëve, prokurorëve, numër i madh i policëve, në publik tashmë janë qoftë të akuzuar apo të dyshuar për aktivitete të ndryshme, qoftë kriminale apo të lidhur me politikën, atëherë qytetari nuk ka se si t’i besojë këtij sistemi dhe këtyre personave, se ata janë në gjendje të vënë drejtësi dhe se ata janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tyre”, tha Miftaraj.

Shkak për humbjen e besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë, siç thotë Hoxha, është dështimi i kësaj të fundit.

“Qytetarët e Kosovës janë përballur me raste të shumta, në të cilat sistemi i drejtësisë ka dështuar t’i trajtojë. Do të thotë, shpresojmë që edhe rasti Dehari të mos e ketë një epilog të tillë në fund të trajtimit të tij. Mirëpo, ajo që kemi parë deri më tani, tashmë i ka kontribuar kësaj humbje të besimit të opinionit ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë”, u shpreh Hoxha.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, vlerësojnë se reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale, por edhe përmes formave të ndryshme, tregojnë se shumica dërmuese e tyre shfaqin mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë, duke e akuzuar atë se i shërben politikës, grupeve të interesit dhe jo qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i këtij viti, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, si dhe nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit.

Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, ky raport ka konfirmuar që sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet në fazë elementare të zhvillimit dhe që mundësia për të qenë efektiv në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet e vogël.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme