Ministri në detyrë i Bujqësisë Besian Mustafa përmes një postimi ka kërkuar unitet për rikthimin e LDK-së, pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Tutje, Mustafa ka shkruar se viti 2021 për LDK-në është përsëritje e vitit 2006.
Postimi i plotë:
Uniteti për rikthimin e LDK-së
Kjo është një letër që thyen heshtjen. Heshtjen që pretendon të blejë paqe që prodhon të kundërtën e asaj që i duhet partisë.
Heshtja
LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit, pak javë pasi që mbushi plot 31 vjet nga themelimi, preku pikën më të ultë elektorale ndonjëherë: rreth 103 mijë vota, rreth 14-15 deputetë.
Përveç dorëheqjes së kryetarit, që derivoi në dorëheqjen e kryesisë, nuk flet askush më asgjë. Në vend të hapjes së debatit të brendshëm, heshtje. Në vend të debatit me këta 103 mijë votues që na mbetën besnik, heshtje. Në vend të debatit me mbi 100 mijë votues që na ikën tash, heshtje. Në vend të debatit me qindra mijëra votues që e braktisën LDK-në nga 2006-ta tutje, heshtje.
Heshtje sepse po kalkulohen matematika që blejnë paqe dhe qetësi, që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim. Takime në grupe të ngushta, kinse për ta ruajtur partinë, por që në fakt diskutojnë interesa të ngushta. Jo interesin e LDK-së, jo interesin e qytetarëve, jo interesin e Kosovës.
Në vend të analizës dhe diskutimeve të problemeve dhe dështimeve me struktura, anëtarë dhe votues, mbizotëron heshtja për të ruajtur pozicione (çfarë pozicione mund të kemi me 13%, rrokullisur nga 46%, që t’i ruajmë, s’e kam idenë!). Heshtje se “mos po kthehet Vjosa, e mos t’i prishi punët me të” apo “mos po bëhet Luta e nuk më futë në kryesi” apo “e merr partinë Kujta e nuk më jep pozitë”, apo… çfarëdo arsye tjetër për të mos folur, analizuar e debatuar; çfarëdo arsye për të heshtur e kalkuluar.
Humbja
Këto pak vite që kam në politikë, kam dëgjuar qindra herë ankesën se “LDK votuesit ekzistues i trajton si vota që s’kanë ku ikin, prandaj hajde merremi me votues të partive tjera, po i kthejmë në LDK”. Fjali që e dëgjon, plotë dëshpërim, nga gati secili anëtarë apo votues i LDK-së që ndihet i lënë pas dore, pas dere. Deri në atë masë erdhi kjo mendësi saqë në dy-tri palë zgjedhjet e fundit në LDK thumboheshin mes vete me “a po mun’ i ktheni bre?” apo, duke pasur fjalën për votues tradicional të LDK-së, se “valla filanin duhet me kthy në LDK”.
Kur tallesh me votuesin, një ditë vie fatura politike për ta paguar. Në politikë, nuk mbetet asnjë faturë pa paguar. Mund ta shtysh për mandatin tjetër, por dikur duhet ta paguash. Mund t’ua përcjellësh faturën gjeneratës tjetër në parti, por një ditë duhet ta paguajnë.
Më 14 shkurt 2021 paguam të gjitha faturat e mbledhura nga janari i 2006-ës. Faturat e injorimit të anëtarëve, votuesve dhe simpatizantëve të LDK-së. Faturat e injorimit dhe shkeljes së familjeve të mëdha të LDK-së. Faturat e përqeshjes se “nuk kanë ku shkojnë, gjithë kanë me votu’ LDK-në”. Faturat e mbylljes, mosdialogimit, mosdiskutimit, skenarëve, grupimeve, makinacioneve, kalkulimeve, matematikave. Faturat e inateve dhe egove të personave, grupeve, klaneve, regjioneve, gjeneratave. Faturat e zgjedhjeve të brendshme të vitit 2019 kur askush nuk çante kokën kush, e si, po bëhej kryetar nëndege apo dege, por vetëm telefononin çdo 15 minuta “kon’ pe qon delegat? Ai a? Jo ai s’o i jemi, qoje atë tjetrin”. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për të gjitha partitë tjera ishin zgjedhje parlamentare, por për LDK-në ishin vetëm vazhdim i zgjedhjeve të brendshme të nisura në pranverën e 2019-ës. “Votom mua edhe kurrqysh mos e voto Filanin, se m’ka mujtë në degë, e tash duhet me pre” ishte fjalia më e shpeshtë në takimet elektorale, pra me votuesit, të LDK-së në këto zgjedhje. E votuesi i LDK-së rrëmoi sirtarët, mblodhi të gjitha faturat e 15 viteve të fundit dhe e morri pagesën, e morri hakun, jo nga LDK që nuk guxonte as t’i shihte faturat, por i përmbaroi në kutinë e votave. Nga 46% në 13% brenda 15 viteve.
Nesër
Sot, në LDK, mund të perceptohesh nga votuesit – e ky perceptim ndihmohet mjaft shumë nga brenda partisë – ose si pjesë e “pleqve tradicionalë e konservatorë që e kanë kapur partinë për fyti, e kanë ngulfatë dhe nuk e lëshojnë sepse u prishen matematikat dhe bizneset” ose si pjesë e “rinisë moderne e përparimtare që duhet me ja shti bagerin kësaj partie, me rrëzu me themele e me ndërtu prej fillimit, sepse s’ka sen’ këtu”.
Votuesi i LDK-së, ai që e përkrahu dhe e votoi që nga themelimi më 1989, jo si parti politike por si lëvizje popullore, asnjëherë nuk e ka votuar LDK-në as për “tradicionalen ngulftase” e as për “modernen bageriste”.
Themelet dhe shtyllat e shtëpisë së LDK-së, shtëpisë së shtetit të Kosovës, janë ndërtuar me solidaritet, bashkim, dialog, negocim, kompromis dhe, mbi të gjitha, duke punuar për projektin KOSOVA e jo për projektin UNË.
“Ne nuk kemi as lisa për të humbur, lëre më njerëz” kishte thënë Rugova. Këtu është edhe vizioni edhe shpëtimi i LDK-së: kthimi tek themelet dhe shtyllat, kthimi tek baza, tek qytetari, tek nënat, baballarët, djemtë dhe vajzat e Kosovës. Kthimi tek parimet, jo tek matematikat, anipse LDK ka përplot shkencëtarë. Kthimi tek vizioni, jo tek sponsorimet komerciale, anipse LDK si parti e djathtë është pro-biznes.
Së shpejti LDK do të mbajë Kuvendin e Punës ku do të zgjedhet kryetari i ri i saj. Ky Kuvend do të jetë i pakuptimtë dhe shterp në mungesë të disa parakushteve:
Thirrja, lutja në fakt, e figurave themeluese, e bartësve të shpirtit të LDK-së, për t’u kthyer në parti, në çfarëdo forme apo angazhimi. Figura që në dy dekadat e para të LDK-së i kanë dhënë asaj shpirtin dhe vizionin e saj. Figura që kemi fatin që ende janë gjallë e të fortë për t’i dhënë Kosovës ende.
Regjistrimi i plotë i anëtarësisë bazuar në rregulla, standarde dhe kontribut, ku secili anëtar i ka të qartë treguesit matës për kontributin e tij, ku secili kryetar nëndege dhe dege i di qartë treguesit e matjes së performancës së tij.
Zgjedhje të brendshme të parakohshme në LDK ku largohet kushti i 50%+1 i votave të kuvendit për të miratuar kandidaturën dhe ku të gjitha organet nga nëndegët deri tek qendra zgjidhen vetëm dhe vetëm përmes kutisë, pra votës së fshehtë.
Komunikime, diskutime, debate dhe konsultime paraprake – pra, para Kuvendit – të thella e të gjera që rezultojnë në konsensus të gjerë mes gjeneratave, regjioneve, pikëpamjeve, ideve, etj.
Në këtë Kuvend, de facto, nuk zgjedhet kryetari i LDK-së por zgjedhet ekipi i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Një ekip që, përmes komunikimit me qytetarin votues e jo-votues, e kthen vendimmarrjen tek secili anëtar, dashamir e simpatizantë, tek secili qytetar që e sheh LDK-në si alternativë për zhvillimin e shtetit. Në të kundërtën, do të mund të vazhdojmë të flasim në kuluare se si po ja bëjmë me partinë e jo me votuesin, si po ja bëjmë menaxhimit të brendshëm e jo raportit me votuesit, por do të përfundojmë edhe më keq. Do ta harrojmë 14 shkurtin.
Ka zëra sot në LDK që do thonë që një proces i tillë merr kohë dhe ne nuk kemi kohë sepse duhet përgatitur për zgjedhjet komunale. Cilat zgjedhje komunale? Çfarë zgjedhjesh fitojmë pas gjashtë muajsh ne që kemi rënë nga 46% në 13%, pa reformë, pa e rigjetur veten, pa ju kthyer bazës?
Viti 2021 për LDK-në tanimë është përsëritje e viti 2006: humbje, përçarje, degradim. Mundemi dhe duhemi ta shndërrojmë në përsëritje të vitit 1989: energji e re, vizion, kurajo, durim, punë.
E di që shumë bashkëpartiak do të më thërrasin pas kësaj letre. Shpresoj që më thërrasin për strategjinë e unitetit dhe komunikimit me elektoratin. Unë në LDK do të jem, duke dëgjuar, bashkëbiseduar e punuar sepse nuk kam organizim tjetër. Sepse nuk mund ta paramendoj veten jashtë shtëpisë që ndërtuan baballarët tanë. Shtëpinë e hapur për të gjithë ata që punojnë për ta bërë shtëpinë më të dëshirueshme të secilit qytetar të Kosovës./arbresh.info/
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...