Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se nuk është optimiste se do të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës sot në Bruksel.
Bërnabiq potencoi se do të dëshironte të arrihet një ujdi, sepse Serbia ka nevojë për paqe dhe stabilitet për të vazhduar rritjen dhe zhvillimin e saj, por sipas saj, Kurti nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje.
“Unë nuk jam optimiste në kontekstin e asaj që po flisnim. Ju mund të shihni se në vend po përpiqen të dobësojnë pozitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë në momente kaq të vështira. Në momentin kur presidenti duhet të fokusohet në mbrojtjen e interesave të Serbisë, ata (opozita) po flasin marrëzi për Parisin dhe nëse presidenti ka ngrënë apo jo, gjë që është e pakuptimtë dhe tregon papërgjegjshmërinë e tyre”, tha Bërnabiq në TV Pink.
Ajo theksoi se presidenti serb ka mjaft fokus dhe stabilitet emocional për t’i lënë të gjitha këto pas dhe për të mbrojtur sot në mënyrën më të mirë interesat e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zhvillojnë një takim në Bruksel – të parin pas më shumë se katër muajsh – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ky takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po zhvillohet në hapësirat e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Takimet kanë filluar në orën 09:00 të mëngjesit. Fillimisht, diplomatët evropianë kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pastaj në orën 10:00 ata kanë takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Pas këtij takimi trepalësh, për të cilin nuk dihet se sa do të zgjasë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të mbajë një konferencë për media, ku pritet të japë detaje rreth takimeve./Arbresh.info/
lexo edhe:
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...