Në Ministri të Mbrojtjes, në organizimin e Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit të Planifikimit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, u zhvilluan punimet e sesionit vjeshtor të Konferencës FSK dhe Partnerët 2019“.
Sipas njoftimit për media në këtë konferencë morën pjesë ambasadorë dhe atashe të mbrojtjes nga vendet partnere si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Shqipëria, Kroacia, Italia, Turqia, Franca, Holanda, Belgjika, Çekia, Hungaria, Maqedonia, Mali i Zi dhe për herë të parë edhe Jordania.
Në hapje të Konferencës morën pjesë: Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zv. ministri i Mbrojtjes Kadri Kastrati, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, U.d. sekretari i përgjithshëm i MM-së, Faruk Geci, drejtori i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s gjeneral brigade Michael Oberneyer, si dhe oficerë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të FSK-së, KFOR-it dhe NALT-it.
Konferencën e shpalli të hapur ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, i cili në fjalën përshëndetëse theksoi rëndësinë e veçantë të Konferencës duke pasur parasysh periudhën intensive të aktiviteteve përmbyllëse të vitit të parë të tranzicionit.
Duke e vlerësuar si vit të suksesshëm, ministri Berisha theksoi se FSK-ja edhe me kapacitetet e tanishme është e gatshme t’i përkrahë partnerët dhe aleatët tanë të NATO-s.
“Një ndër objektivat e kësaj Konference është mbajtja dhe avancimi i partneritetit dhe dialogut mes FSK dhe partnerëve, në udhëtimin tonë të përbashkët gjatë fazës së tranzicionit”. Ai më pas njoftoi të pranishmit me të arriturat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, me të arriturat konkrete gjatë periudhës përkatëse duke theksuar se këto të arritura i atribuohen mbështetjes së madhe të partnerëve tanë dhe bashkëpunimit të thellë dypalësh me ta. FSK-ja edhe me kapacitetet e tanishme është e gatshme t’i përkrahë partnerët dhe aleatët tanë të NATO-s, në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë, gjithkund në botë, sa herë që partnerët dhe aleatët tanë kanë nevojë për përkrahjen tonë. Të gjitha të arriturat e FSK-së janë suksese të përbashkëta dhe kjo histori suksesi është e Kosovës dhe e partnerëve tanë”, tha në fund ministri Berisha duke falënderuar shtetet partnere në krye me SHBA-të, NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në zhvillimin e FSK-së.
Drejtori i NALT-it gjeneral brigade, Michael G. Oberneyer, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu kënaqësinë që udhëheq Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, në shërbim të zhvillimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, duke vlerësuar periudhën e organizimit të Konferencës si mundësi e mirë për të bashkërenduar aktivitetet e planit vjetor 2020 të NALT-it me planin vjetor 2020 të FSK-së.
Gjithashtu në një prezantim të veçantë u paraqit edhe Strategjia e NALT-it 2020-2022 ku përfshihen objektivat, detyrat, sfidat, struktura, niveli i angazhimit si dhe qasja këshilluese e NALT-it për FSK-në.
Gjeneral Oberneyer siguroi se mbështetja e NALT-it do të vazhdojë edhe më tej dhe falënderoi udhëheqjen e FSK-së për bashkëpunim si dhe uroi për sukseset e deritashme edhe pjesëmarrësit e Konferencës.
Në vazhdim të punimeve të Konferencës, sipas agjendës së përcaktuar nga oficerët e FSK-së, kolonel Hasan Hoxha, kolonel Haki Hoti dhe major Dedë Hyseni paraqitën prezantimet: Bashkëpunimi Ndërkombëtar, Procesi i Tranzicionit të FSK-së dhe Plani Vjetor 2020 me projeksionet edhe për periudhën 2021-2023.
Sipas njoftimit për media, në sesionin e pasdites, përfaqësuesit e delegacioneve nga vendet partnere prezantuan aktivitetet e realizuara të planeve të bashkëpunimit dypalësh me FSK-në për vitin 2019 dhe aktivitetet kryesore të planifikuara në planet e vitit 2020.
“Për të finalizuar punimet e Konferencës, në delegacione të ndara u realizuan takime dypalëshe veç e veç ndërmjet delegacioneve të FSK-së dhe delegacioneve të vendeve partnere. Në këto takime u analizuan dhe vlerësuan fushat në të cilat nevojitet mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në zhvillimin e aftësive për periudhën 3-vjeçare dhe u finalizuan planet dypalëshe për vitin 2020 dhe hartimi i koncept-planit për periudhën 2021-2023”, thuhet në njoftim. /arbresh.info/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës