Beqiri: Kundërkandidatët e Vjosa Osmanit janë të lodhët

00:06 | 26 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Ismet Beqiri i LDK-së i ka quajtur të lodhët kundërkandidatët e Vjosa Osmanit për kryeministër të Kosovës.

Ai ka thënë se të gjithë të tjerët janë “të mbështetur për muri dhe flasin kot”.

“I ka kundërshtarët e lodhët. Janë të lodhët të gjithë, ndaj saj. Osmani, ka arritur të krijojë një unitet e t’i integrojë ata që për arsye të ndryshme kanë qëndruar anash. Janë shumë elemente që besojmë se ajo do të ketë besimin e qytetarëve të Kosovës, për të krijuar qeveri të respektueshme nga të gjithë, që s’mund të thuhet për qeverinë e shkuar që po i prishte të gjitha”, ka thënë ai në KTV.

Beqiri i ka quajtur absurde deklarimet se Osmani s’ka përvojë për të qeverisur me vendin.

“Puna e përvojës është interesante. Ajo është, nëse asgjë, aktive që kur ishte këshilltare e presidentit Sejdiu. Të qenit deputete disa mandate, një grua shumë e votuar, një profesoreshë universiteti e të thuash s’ka përvojë, është absurde. Përvoja tregohet kur e ke rastin. Qytetarët duhet t’ia ofrojnë rastin, për të dëshmuar se edhe të gjitha ato që i ka bërë mirë atje ku ka punuar mund t’i bëjë në qeverinë që do ta udhëheqë ajo. Por kur të mbështeten për muri, diçka duhet të thonë. Po ia fusin kot. Koha do ta dëshmojë. Do të punojmë e jemi të bindur se do t’i fitojmë zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Osmani do të jetë e pavarur në marrjen e vendimeve.

“Fakti që është kandidate, dhe e ka pas zotësinë të marrë këtë mbështetje për kandidaturë, s’duhet vënë në dyshim përkushtimin, aftësinë e lirinë e të vepruarit si një kryeministre në interes të vendit. Sigurisht është e kandiduar nga LDK-ja, por tamam puna që LDK-ja t’i bëjë pengesë. Ne bashkë e bëjmë kryeministre të vendit, mund të ketë konsultime, por ajo është e pavarur në kuptimin e dhënies së mendimeve e marrjes së vendimeve”, ka shtuar Beqiri.

Të ngjashme