Google ADS

Beogradi ia pamundëson kontrollin e procesit zgjedhor autoriteteve kosovare në komunat serbe

10:05 | 10 Tetor 2019
Arbresh.info

Zgjedhjet e  6  tetorit janë vlerësuar si  më demokratiket që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Ky proces zgjedhor, madje është vlerësuar lartë edhe nga zyrtarë ndërkombëtar dhe atyre të rajonit.

Megjithatë, një proces jo demokratik  është zhvilluar në komunat e banuara me serbë, në të cilat është raportuar se ka pasur edhe frikësime dhe kërcënime nga Lista Serbe  për kandidatët e partive tjera serbe.

Kështu të paktën kanë deklaruar zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian (BE), të cilët kanë monitoruar procesin zgjedhor në Kosovë.

Analistë të çështjeve politike në Kosovë, thonë se kontrolli i zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, ku edhe është raportuar për kërcënime dhe frikësime, është vështirë të bëhet nga institucionet e Kosovës.

Pasi sipas tyre, Beogradi përmes Listës Serbe përdorë mënyra të ndryshme të manipulimit të votave.

Analisti, Shkodran Ramadani, për arbresh.info thotë se Kosova ka interes të kontrolloj parregullsitë në Veri, por që sipas tij një gjë e tillë aktualisht është e pamundur.

“Interesim nga institucionet e Kosovës ka, por, ka pengesa. Ne siç e dimë ish kryeministri Haradinaj, për shkak të taksës ka kontribuar që situate në veri me u tension, sepse ne e dimë që shumica e mallrave ne veri, importohen nga Serbia. Dhe atje e kanë tensionua situatën, e në këtë kuptim mundemi me thënë që nuk ka pasur interesim”, tha Ramadani.

Ndërsa pengesë tjetër për kontrolle në Veri,  sipas Ramadanit është edhe dorëheqja e kryetarëve të komunave serbe nga postet e tyre, të cilët sipas tij e kanë rritur nivelin e mosbindjes në Veri.

“Arsyeja pse ka qenë i vështirë kontrolli në këto zgjedhje në Veri është për shkak se siç e dimë, kryetarët e komunave të serbëve kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre dhe kanë rritur nivelin  e mosbindje në raport me institucione”, tha Ramadani.

Kërcënimet e ndryshme dhe metodat demokratike të përdorura nga ana e Listës Serbe, sipas Ramadanit e kanë paralajmëruar se në Veri nuk do të ketë zgjedhje të qeta.

“Ndërkohë që Beogradi ka dashtë me mbajt Listën Serbe si forcën e vetme politike, që e ka në këtë monopolin politik të serbëve në Kosovë, ka përdorë edhe metoda jo demokratike, dhunshme, të detyrueshme, kërcënuese dhe që nga fillimi është ditur që nuk kanë me mund në tërësi me e sigurua zgjedhje të qeta dhe fer në Veri”, tha Ramadani.

Ndërsa analisti tjetër, Leon Duhana, thotë se në tërësi Kosova ka treguar pjekuri politike në zgjedhjet e fundit.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë Duhanaj i ka quajtur shembull i mirë për ndryshime normale.

“Përpos që jemi shembull për zgjedhje të lira dhe demokratike, jemi edhe shembull i mirë për ndryshime normale të  forcave qeverisëse”, thotë Duhanaj.

Sa i përket manipulimeve  dhe kërcënimeve të kandidatëve serbë të partive tjera nga ana e Listës Serbe, ai thotë  ky subjekt politik duhet të përjashtohet.

Kjo pasi sipas tij, Lista Serbe mund të shihet vetëm si një mjet kërcënimi.

“Nga ky fakt, duhet përjashtuar subjekti politik Lista Serbe, e cila përmes Beogradit ka manipuluar procesin zgjedhor duke kërcënuar qytetarët nga komuniteti serb me të gjitha mjetet. Për mendimin tim Lista Serbe, nuk e përfaqëson vullnetin qytetarë të komunitetit, por është mjet kërcënimi, qoftë për komunitetin serb në Kosovë, qoftë edhe për Kosovën në tërësi”, thotë Duhanaj.

Ndërkaq për këtë çështje, ai thotë se BE-ja duhet t’a drejtoj gishtin nga Beogradi e jo nga Prishtina.

“Ketë e mbanë Serbia për ta shantazhuar Kosovën, prandaj komuniteti ndërkombëtarë, përkatësisht BE, ketë shqetësim duhet ta drejtoj në Beograd e jo në Prishtinë. Sepse është Beogradi që e saboton çdo proces dhe, prape mbetet i përkëdheluri i sidomos disa çarqeve të BE-së”, thotë Duhanaj.

Ndryshe, politikanët serbë të subjekteve tjera politike në Kosovë, kanë raportuar është bërë një fushatë e egër me shantazhe kundër tyre, duke u  përdorur edhe kërcënimet dhe frikësimet nga ana e Listës Serbe, e cila dirigjohet direkt nga Beogradi.

Njëri nga kandidatët, Nenad Rashiq dhe kreu i SLS , Slobodan Petroviq ka deklaruar se e ka jetën e rrezikuar për faktin se nuk ka dashur të bëhet pjesë e Listës Serbe, marionetë e Beogradit e që nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme