Google ADS

Bekim Jashari flet për dialogun, lidershipin aktual e Gjykatën Speciale

10:09 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Inatet personale që kanë liderët politik në vend janë duke dëmtuar procesin e Kosovës në dialog me Serbinë.

Kështu ka thënë në një intervistë për arbresh.info, Bekim Jashari djali i heroit Hamëz Jashari, njëherit dhe kryetar i Komunës së Skenderajt.

“Liderët politik janë duke vepru në avazin vjetër për inate personale. Ne kemi thënë si familje kemi bërë ftesë e thirrje, e po e përsëris edhe sot që duhet të bëhen bashkë, kur ka çështje të tilla siç është tani dialogu me Serbinë, duhet të përmbyllen, dhe duhet të krijojmë fqinjësi të mirë. Duhet të ulen e të marrin vendime të bashkuar s’munden me shku të gjithë në takim. Më këto neglizhenca dhe inate personale pe dëmtojnë vendin tonë”.

Duke folur për fillimin e dialogut me Serbinë, Jashari shprehet i zhgënjyer se si partitë politike në vende nuk janë të bashkuar as në këto proces kaq të rëndësishëm për vendin.

Ai thotë se të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces pa marrë parasysh, a jenë opozitë apo pozitë.

“Ky vend është i joni dhe këtë proces të fundit duhet ta përmbyllim të gjithë të bashkuar pasi s’na bënë nder nëse diçka mbyllet në dem tonin, pa marr parasysh a janë në opozitë, apo pozitë”.

Për familjen Jashari të gjithë ata që do të vinë në krye të institucioneve pa dallime do ta kenë përkrahjen dhe mbështetjen në rast se ju kërkohet.

“Janë partitë parlamentare që duhet të diskutojnë në Parlament dhe t’i caktojnë vijat e kuqe, deri ku kanë drejt të shkojnë dhe pse jo ta caktojnë një grup të përbashkët kushdo qoftë kryeministër, s’do ta pengonte ta ketë një ekip të fort në tryezën e dialogut”.

Kryetari i Skenderajt ka folur edhe për ftesat e Gjykatës Speciale.

Sipas tij çdokush që do të akuzohet për luftën e bërë nga 92 e deri në qershor të 99’tës do të ketë përkrahjen e tij.

“Ka me pas shqetësime me ftesat e Gjykatës Speciale. Kam thënë edhe më herët, si Bekim do e këtë përkrahjen time kushdo qoftë ai individ që akuzohet për gjoja krimet që janë bërë. Nga 1992 e deri në qershor të 99’tës ka qenë një kauzë e përbashkët, dhe ne duhet t’i lëmë anash këto inate personale, që na kanë ndodh gjatë këtyre viteve të pasluftës, dhe duhet ta ndihmojmë  njëri tjetrin. Ne jemi ende duke vuajtur pasojat e atij regjimi. Ne duhet të jemi të bashkuar në këto tema nacionale”.

Jashari ka treguar edhe për gjendjen në të cilën ndodhet Komuna e Skenderajt në këtë kohë pandemie.

“Po kemi raste. Mendoj se kemi plus apo minus 50 raste aktive, është e menaxhueshme edhe nga qytetarët, edhe nga ana ekonomike jemi duke u marr me çdo familje. Po shpresoj që qytetarët të jenë më të kujdesshëm”./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme