Google ADS

BE’ja nuk e di me siguri nëse do të ketë takim Kurti-Vuçiq para pushimeve verore

08:14 | 10 Korrik 2022
A Z

Nuk ka asnjë takim të planifikuar të ndodh tani për tani në mes të palëve të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë e ka konfirmuar për arbresh.info, Paloma Hall Caballero zyrtare për shtyp për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga Komisioni Evropian.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të Dialogut, nëse dhe kur të jetë e nevojshme”, thuhet në përgjigjën e saj për arbresh.info.

Por, zhvillimet e fundit nëpër vendet e banuara me serb, përkatësisht në veri të vendit, dhe në Shtërpcë, ku Policia e Kosovës gjatë një aksioni ditën e enjte, ka hequr kamera që mendohet që ato pamje kanë shkuar në Serbi, dhe disa dokumente të strukturave paralele, të konfiskuara, i ka parë si tension njohësi i çështjeve të dialogut Fatmir Sheholli.

Megjithatë ai mendon se tani është koha e duhur të ndodh një takim Kurti – Vuçiq, për ç ‘tensionim të situatës.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, që po ndodhin konsideroj që është e nevojshme shumë dialogu të vazhdojë, dhe që tensionet të ulen, andaj do të ishte mirë që deri në fund të këtij muaji të ndodh një takim, Kurti – Vuçiq të ndodh një takim, jo vetëm për ç ‘tensionim të situatës por edhe për arritjen e marrëveshjeve që janë tani tema të diskutimit, a do të ndodh apo jo, varet shumë nga vullneti i Serbisë, ngase sa jemi të informuar Kurti është i gatshëm që dialogu të vazhdoj”, ka thënë Sheholli.

Ndërsa, Gazmir Raci, njohësi i çështjeve të dialogut, ka thënë se këto takime duhet të mbahen por me fokus arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Takimet e nivelit të lartë duhet të mbahen, por me fokus arritjen e marrëveshjes përfundimtare përndryshe diskutimet teknike mund të jenë vetëm humbje kohe”, ka thënë Raci për arbresh.info.

Ai ka theksuar që nuk pret bllokim të dialogut ngase sipas tij, Kosova dhe Serbia e kanë zgjedhur rrugën e integrimit në BE.

“Andaj edhe duhet te arrijnë që sa më parë t’i zgjidhin problem që kanë në mes tyre nëse dëshirojnë që një ditë të behën pjesë e familjes evropiane. Edhe Kancelari Gjerman e tha edhe ne Beograd, se nëse dëshirojnë hyrje ne BE atëherë njëra tjetrën duhet ta njohin si shtet te pavarur dhe Sovran”, ka theksuar Raci.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë e Serbi, përmendi mundësinë e një takimi ndërmjet Kurtit e Vuçiqit para pushimeve verore./Xhejlane Haliti/arbresh.info/

Të ngjashme