Drejtor i Televizionit Spektri në Bujanovc, Nexhat Behluli, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshëvës e kanë pritur me shqetësim të madh lajmin se Prokuroria Speciale me seli në Hagë ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.
Në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se aktakuzat në fjalë qeveria e Serbisë në krye me Aleksandër Vuçiqin mundohet t’i paraqes si fitore në Kosovë.
“Vuçiq nuk është i interesuar që problemi Kosovë-Serbi të mbetet në tavolinën e Trumpit duke pasur parasysh se Kosova shpresën më të madhe e ka tek SHBA-të”.
“Këta janë të interesuar që problemi të bartet në Europë. Për këtë arsye mendoj se Serbia e paraqet si lloj fitore këtë që po ndodh në Kosovë”.
“Serbia dhe Vuçiqi nuk zgjedhin metoda që bisedimet të barten kah Europa ku është më afër Rusia”.
“Këta janë të vetëdijshëm se në SHBA do të zgjidhet problemi në favor të shqiptarëve sepse ata janë aleati më i mirë i tyre. Ata e dinë se nuk ka popull më të besueshëm se kosovarët ndaj amerikanëve”.