Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka shpejguar arsyen se përse është ndarë nga koalicioni LA. Ai ka thënë se kanë qenë disa probleme të vogla që janë përsëritur e që e kanë shtyrë partinë e tij t’i ndajë rrugët me këtë koalicion.
“Kemi pasur oferta, por asnjëherë unë nuk jam ulur të bisedoj për një koalicion sepse edhe shpirtërisht edhe fizikisht kam qenë në anën tjetër. Dje i shkruajtëm letër LDK-së për arsye që ka pasur edhe një hidhërim ku na i ka prekur xhepat tanë. Gjatë fushatës kanë ardhur gjobat dikun 27 mijë euro prej KQZ-së që duhet të paguhen. Ato gjoba kanë ardhur në shtabin e LDK-së dhe askush nuk na ka njoftuar neve që të ankohemi. Ka pasur edhe gjoba tjera që kanë ardhur në AKR disa janë falur, disa janë paguar e disa janë eliminuar. Por në momentin e fundit ne e kuptojmë që janë 27 mijë euro gjoba për t’u paguar. Janë fakte nuk janë fjalë, edhe po të ishin 2 cent është dashur të na tregojnë. Pastaj ana tjetër ishte se është paguar fondi për demokratizim sipas deputetëve ndërsa ne as sot nuk e kemi atë fond. Do të thotë një problem aty, një aty dhe vjen momenti kur ti thua STOP, për çka jem aty”, ka thënë ai.
Pacolli ka treguar se kryesia e AKR-së kishte vendosur që të formojnë grupin parlamentar të AKR-së.
“Nëse nuk jemi në gjendje ta formojmë me 6 deputetë ne do të jem një trup i veçantë që vepron. Këto gjëra janë bërë publike menjëherë dhe në moment e kam thirrë për një takim zotërin Mustafa. Kam respekt për Isa Mustafën dhe familjen e tij jashtë politikës, mirëpo kur u takuam i thash që nuk mund të rrugëtojmë. Tentativa ime nuk u mor seriozisht. Unë nuk dua të rri tërë ditën në parlament dhe të pres mos po ndodh një skenar, unë dua që në fund të ditës të shoh çka kam bërë. Kështu njerëzit e AKR-së e kanë transmetuar lajmin që jemi nda si grup i veçantë dhe menjëherë kanë filluar ofertat”, ka thënë ai në Rubikon.
Ndër të tjera ai ka thënë se kishte pasur takime edhe me faktorin ndërkombëtar ku i kanë kërkuar të gjej zgjidhje.
“ Unë kam pasur edhe takime jashtë vendit me faktorin ndërkombëtar ku ka pasur një kërkesë që duke e dëshmuar me fakte se çka është duke humbur Kosova, tani është përgjegjësi e jona ta bëjmë ndryshimin. Kështu ne kemi pasur takime edhe me zotriun Haradinaj që kanë qenë takime të suksesshme. Dhe rreth koalicionit gjithçka ka ndodhur dje edhe programi, ku gjashtë orë është diskutuar marrëveshja me PAN-in”, ka shtuar ai.