Google ADS

Behgjet Pacolli: E ardhmja jonë është para nesh

23:53 | 19 Shkurt 2018
Arbresh.info

Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka treguar se në 10 vjetorin e Pavarësisë së vendit, ka kujtuar vendlindjen e tij, ku pas lufte ishte rrënuar gjithëçka dhe se 14 persona nga fisi i  tij i afërm kishin humbur jetën, shkruan arbresh.info

Ai ka treguar se fillimi i dekadës së dytë të shtetit tonë duhet t’i tregoj shtetit fqinjë  se pavarësia ishte rruga e vetme që ne si shtet të mbijetonim fizikisht dhe se të lirë dhe të pavarur do jetojmë më mirë se sa më parë.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Fillimi i dekadës së dytë të shtetësisë së Kosovës.

Hakmarrja jonë për dhjetëvjetor dhe përgjithmonë

Sa herë që shkoj në Marec, në fshatin tim të lindjes, para shtëpisë
time të rrënuar nga granatimi i ushtrisë serbe, përfytyroj sesi mundën
të shpëtonin një pjesë e familjarëve të mi në ato çaste. 14 prej fisit
tim të afërt fatkeqësisht nuk janë më.
Ato janë viktima të genocidit
mbi shqiptarët.
Cila është hakmarrja ime dhe hakmarrja jonë për luftën, për viktimat
që gjithë kosovarët kanë në familjet e tyre? Ky është një reflektim që
e bëj shpesh, pra dhe sot në dhjetë vjetorin e pavarësisë, për të
cilën e kam një përgjigje.
Hakmarrja është një pjatë e nxehtë që servohet e ftohtë.
Unë kam vendosur ta rindërtoj shtëpinë time. Atje do jetojnë fëmijët e mi.
Në fshatin tim që pasi kam parë krejt botën, e quaj më të bukurin në
botë, e ku sot kanë mbetur pak shtëpi, dua të realizoj një projekt
turistik. Projekti, bashkë me fabrikat që i japin punë qindra të
rinjve, hotelin, ndërtimtarinë, janë hakmarrja jonë. Duke i dhënë
punë, shpresë qindra mijëra familjeve, ne mundësuam qëndrimin dhe
kthimin e kosovarëve në vatrat e tyre. Ku kemi tokën tonë, jetën tonë,
varret e të parëve, historinë tonë. Ata që na luftuan, donin të na
asgjësonin, të na zhduknin, të na largonin prej tyre.
Ne u kthyem në
vatrat tona të djegura me ndihmën e miqve tanë të Perëndimit dhe i
rindërtuam ato. 10 vjet më parë shpallëm pavarësinë, dhe po ndërtojmë
shtëpinë tonë të re të përbashkët, Republikën tonë.
Të gjithë bashkë, ne duhet ta ndërtojmë Kosovën dhe kjo është
hakmarrja jonë më e mirë.
Kosova është vendi më i pasur në botë, me burime natyrore, me rini të
mrekullueshme, e cila mjerisht sot është e papunë. Ne duhet të
tregojmë se liria dhe pavarësia funksionon. Ne duhet t’i tregojmë
fqinjit tonë se pavarësia ishte rruga e vetme që ne të mbijetonim
fizikisht. Ne duhet që të tregojmë se të lirë dhe të pavarur do
jetojmë më mirë se sa më parë.
Unë sot jam ministër i jashtëm dhe vazhdimisht i tregoj botës dhe
bashkëbiseduesve të mi historinë e shpresës së popullit tonë që
rrezikoi të zhdukej, por sot po ndërton një jetë të re, në një
Republikë model në botë për bashkëjetesën etnike dhe fetare.
Unë sot së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë po vazhdoj lobimin për
njohje ngado nëpër botë.
Kjo është hakmarrja jonë më e mirë dhe besoj
se ja kemi mbrritur të fitojmë përballë një shteti më të madh, me
mjete, burime njerëzore shumë herë më të mëdha sesa tonat.

Dje kolegu im serb i lodhur, për të ardhur keq, donte të na prishte
festën- me të ashtuquajturën tërheqje të Burundit. Një lojë
qesharake, pse Burundi ishte ndër mbrojtësit e Kosovës para Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ai gjest i Burundit në Hagë vlen, sepse
ishte botërisht, ishte gjest natyral i një vendi ish kolonial si
Burundi.
Ne do të sigurojmë njohje të reja dhe kjo do të jetë hakmarrja jonë.
Rrota e historisë nuk kthehet pas.
Kosova sheh vetëm përpara, duke ndërtuar shtëpinë tonë të re, të lirë
dhe të pavarur në mes të Europës.
Shumë do doja që kolegët e mi në qeverinë e Kosovës të veprojnë më me shumë menquri sinqeritet e vizion, të lënë anash çdo gjë tjetër e të vënë si qellim kryesor Kosovën, ardherinë e ndritëshme të rinisë dhe qytetarêve të sajë.
Unë jam i bindur se me pak më vizion, vullnet e dashuri, Kosova sot do të dukej më ndryshe se tani, më e bukur, më e pastërt me e rregulluar më e qytetëruar.

Gëzuar dita e parë e fillimit të dekadës së dytë të shtetësisë tonë, bashkëkombasit e mi, bashkëkohanikët e mi, rini e
mrekullueshme.
E ardhmja jonë është para nesh!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme