Google ADS

Begaj takon ministrin e Jashtëm të Kroacisë, diskutojnë rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

17:16 | 18 Prill 2023
E.H

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Grlić Radman, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Me këtë rast, Begaj ka përshëndetur hyrjen e Kroacisë në hapësirën Schengen dhe në Eurozonë.

“Kroacia mbetet një shembull shumë i mirë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Begaj.

“Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal te bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë në këtë drejtim”, njofton Presidenca e Shqipërisë.

Në këtë takim Begaj ka vlerësuar se ekspertiza dhe njohuritë kroate në këtë drejtim “janë shumë të vyera për ekipin negociator shqiptar, veçanërisht në këtë fazë të negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë si aleatë në NATO, si edhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.

“Të dy bashkëbiseduesit u ndalën më tej tek efektet negative të prodhura për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te nevoja për një koordinim e bashkëpunim më të ngushtë në këtë drejtim për të minimizuar ndërhyrjen e aktorëve të tretë keqdashës”, thuhej tutje në njoftim.

Presidenti Begaj dhe ministri Radman kanë vlerësuar mbështetjet reciproke të kandidaturave për në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme