Google ADS

Begaj: Përkeqësimi i situatës në veri të Kosovës, destabilizon rajonin

14:39 | 13 Korrik 2023
L G

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se çdo përkeqësim i situatës në veri të Kosovës do të sjellë destabilizim në të gjithë rajonin.

Duke folur në konferencën e përbashkët me homologen e tij sllovene, Natasha Pirc-Musar, gjatë vizitës në Lubjanë, Begaj theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët të dialogut, nisur edhe nga marrëveshjet e arrituara në Bruksel dhe anekset e miratuara në Ohër.

“Na takon që çdo çështje, të vjetra apo të reja, çështje të cilat janë të lidhura nga dallime të vjetra apo të reja duhet të diskutohen, duhet të dialogohen dhe e vetmja zgjidhje është dialogu dhe gjetja e një kompromisi, pasi çdo përkeqësim i situatës së stabilitetit në rajonin e veriut të Kosovës do të sjellë një destabilizim të të gjithë rajonit dhe më gjerë.Që në vend që të harxhojmë energjitë tona për të deeskaluar situatën e eskaluar, të harxhojmë energjitë tona për të punuar për të implementuar atë dakordësi publike që liderat e Kosovës dhe të Serbisë kanë pranuar në Bruksel dhe anekset e miratuara në Ohër”, u shpreh Begaj para gazetarëve.

Begaj vuri në dukje se Shqipëria është promovuese e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit afatgjatë në rajon. Ndërsa theksoi se stabiliteti nuk jepet falas. Për këtë arsye, ai iu referua situatës në veri të Kosovës, ku sipas tij, “situata në veriun e Kosovës, situata e kohëve të fundit na tregoi që stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Politika e eskalimit për të deeskaluar është një politikë e ditës, e cila i shërben politikanëve për të fituar zgjedhjet e radhës, por kurrsesi nuk i shërben prosperitetit të vendeve të përfshira.”

Të ngjashme