BE tregon nëse është planifikuar takim ndërmjet Kurtit e Vuçiqit

08:54 | 25 Prill 2021
A. B.

Do të shkojnë në të njëjtin vend, por nuk do të takohen.

Janë këta Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilët javën e ardhshme do të qëndrojnë në Bruksel.

Se nuk është paraparë një takim mes dy palëve e kanë konfirmuar për arbresh.info, zyra e Bashkimit Evropian.

Zoï Muletier, zyrtar për shtyp për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ka thënë se nuk është planifikuar një takim i tillë javën e ardhshme.

“Puna për Dialogun vazhdon, megjithatë asnjë takim nuk është planifikuar për javën e ardhshme dhe ne do të shpallim një takim të tillë kur është e përshtatshme”, është përgjigjur Muletier për arbresh.info.

Se kryeministri Kurti, do të qëndroj tri ditë në Bruksel, për arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, por që nuk do të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq”, është shprehur Kryeziu.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që nga 28 deri më 30 prill të realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se mori drejtimin e ekzekutivit.

E në të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiç pritet që takimet t’i zhvillojë më 26 dhe 27 prill.

Që të dy do të kenë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave, pritet të jenë tema kryesore të këtyre takimeve.

Bisedimet me kryeministrin Kurti edhe ato me presidentin Vuçiq, pritet të shfrytëzohen për të përgatitur terrenin për një takim të tyre për të shënuar vazhdimin e dialogut në nivelin e lartë.

Takime mes dy shteteve nuk ka pasur që nga muaj shtator, kur në Bruksel ishin takuar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu për normalizimin e marrdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2011.

Së fundi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një letër dërguar presidentes, Vjosa Osmani, shprehur përkrahjen për Kosoën se ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke, por që kërkon fleksibilitet dhe kompromise të vështira./V.Selimi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme