BE shpreh keqardhje për reagimet e drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të Agjencisë së Akreditimit

15:46 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Shefja e zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova është takuar me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK) që të informohet për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas njoftimit për media zotimi i tyre ndaj misionit që kanë është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës.

“Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”, thuhet në njoftim./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme