Bashkimi Evropian tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin e Asociacionit jashtë dialogut, të lehtësuar në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se BE-ja e mbështetur nga vendet e saj anëtare dhe partnerët e saj përfshirë SHBA-në, zyrtarisht e ka paraqitur draft–statutin evropian për krijimin e Asociacionit.
Ai tha se ky draft i është prezantuar personalisht kryeministrit Kurti nga lehtësuesi i BE-së së bashku me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së.
Stano tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga përgjegjësitë e saj të dialogut ose t’i delegojë ato tek komunat me shumicë serbe.
“Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023. Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e ASM-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në Dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë Dialogut”, tha Stano për RTV21.
Kryeministri, Albin Kurti, ka refuzuar të themelojë Asociacionin mbi propozimin evropian duke thënë se “ne e kemi një asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri asociacion e as nuk i themelon”.
Por, Bashkimi Evropian konsideron se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësive që ka marrë në procesin e dialogut dhe ato t’ia delegojë komunave me shumicë serbe.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga lehtësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe përfaqësuesi special të SHBA-së.
“Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të Dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës. Në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e Asociacionit. Ky draft-statut Evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga Facilitatori i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së”, shtoi ai.
Përveç dorëzimit të draft-statutit Evropian në Qeverinë e Kosovës nga emisarët Evropian dhe Amerikanë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, rikujton se drafti i ngjashëm ishte pranuar nga kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq edhe në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel.
“Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të Dialogut në prani të Presidentit Macron, Kryeministres Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim draft-statutin Evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe të Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Kjo është një njohje zyrtare e dokumentit nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij’’, tha Stano.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarr hapa konkretë për themelimin e Asociacionit, ndërsa për Serbinë përmbushjen e obligimeve të saj që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve.
“Na vjen keq që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin Evropian. Në përputhje me riangazhimin e saj zyrtar ndaj Dialogut dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut të 20 shtatorit 2024. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e saj pa vonesa të mëtejshme. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draft Statutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga Lehtësuesi i BE-së”, tha Stano.
Qeveria e Kosovës përmes një përgjigje nga zëdhënësi, Përparim Kryeziu, ka thënë se insistojnë që të ketë nënshkrim të marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit, duke kërkuar që të respektohet rendi i gjërave në proces të dialogut.
“Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...