Bashkimi Evropian është në pritje të palëve, në këtë rast të Kosovës dhe Serbisë, për të ecur para në propozimin evropian, i cili, sipas tyre, në parim është pranuar nga palët dhe i njëjti duhet të zbatohet pa parakushte. Ajo që në këtë fazë po i kërkohet Kosovës është statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtarë të BE-së theksojnë se propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar.
Një propozim i ri evropian për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për ‘Rrugën drejt Normalizimit’ tashmë është në tavolinën e Kosovës dhe Serbisë. Ajo çka i është kërkuar Kosovës me urgjencë, ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë, përmbajtja e cila u është dorëzuar palëve vazhdon të jetë sekret. Për këtë edhe kryeministri Albin Kurti foli gjatë raportimit në Kuvend për dialogun e ku tha se i është kërkuar të mos flasë në detaje. Megjithatë, sipas tij, drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Për këtë draft janë deklaruar për RTK-në zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thekson se në takimin e 26 tetorit, në Bruksel, palët kanë pranuar propozimin e liderëve evropianë.
“Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re. Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, tha Stano.
Në anën tjetër në disa media në Kosovë janë publikuar materiale në të cilat pretendohet se janë pjesë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar, mirëpo që të njëjtat janë demantuar nga zyrtarët qeveritarë. Ndërkohë që BE thotë se dokumenti i dorëzuar nuk është publik.
“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, shtoi Stano
Për më tepër, BE thekson se të dyja palët do të vlerësohen mbi performancën e tyre individuale të zbatimit.
Sherri blindon vendin e titullarit tek Cagliari, rivali i ti...
163 efektivë të arrestuar në Shqipëri, 444 punonjës policie ...
Arrestohen katër persona në Gjakovë për vjedhje identiteti d...
Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” ...
Marrje ryshfeti/ Arrestohen dy zyrtarë komunalë në Graçanicë...
Abdixhiku: Finalizuam orarin elektoral, agjendën zgjedhore, ...