Google ADS

BE: Po presim përfundimin e hetimeve për Banjskën nga autoritetet e Kosovës

16:16 | 13 Mars 2024
E.G

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të insistojnë se pa i përfunduar Kosova hetimet lidhur me sulmin në Banjskë, Brukseli nuk mund të bëjë asnjë lëvizje apo të marrë qëndrim lidhur me këtë ngjarje.

Këtë pozicion të Bashkimit Evropian e ka përsëritur zëdhënësi i institucioneve Peter Stano, duke nënvizuar se kohëzgjatja e këtij procesit varet nga autoritete kompetente të Prishtinës zyrtare:

“Ishte ky një sulm shumë brutal dhe i dënueshëm në territorin e Kosovës. Dhe, autoritetet e Kosovës janë duke e hetuar. Përveç dënimit të sulmit dhe kërkimit të sqarimeve, qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte se presim një hetim të duhur. Pra, qëndrimi ynë është se presim përfundimin zyrtar të hetimit nga autoritetet e Kosovës, kurdo që të jetë gati. Dhe pastaj në bazë të këtij hetimi, ne do të vendosim hapat ose qëndrimin tonë. Ky është qëndrimi ynë. Nuk na takon ne të komentojmë për afatet kohore. Kjo është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka theksuar Stano.

Ai rikujtoi se reagimi i Bashkimit Evropian më 24 shtator ishte i qartë. E përsëriti të njëjtën edhe sot dhe nënvizoi domosdoshmërinë që të dilet me rezultatet e hetimeve.

“Të gjithë ne jemi të interesuar të kemi qartësi se kush e ndërmori atë sulm, kush e mbështeti dhe kush është përgjegjës. Por për të pasur përgjigje për këto pyetje, duhet të shohim raportin përfundimtar nga hetimi e jo dokumente që po publikohen apo lëshohen nga palët e treta. Kjo, është procedurë normale, ligjore lidhur me cilindo krim sulm apo incident. I bëni hetimet dhe pastaj nxirrni përfundime”, ka shtuar Stano.

Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga Serbia bashkëpunim në hetimet lidhur me Banjskën. Më herët ishte thënë se ka gatishmëri për vendosjen e masave në rast se hetimet vërtetojnë lidhjen drejtpërdrejtë të shtetit serb me këtë sulm. Megjithatë, me kalimin e kohës, mundësitë për masa ndaj Serbisë zbehen./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme