BE me mesazh për liderët e partive në Kosovë: Në kohën e krizës së pandemisë kërkohet unitet

10:32 | 20 Mars 2020
Arbresh.info

Në një intervistë, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke bërë thirrje që në situatën pas pandemisë COVID -19 kërkohet unitet dhe konsensus politik për të tejkaluar krizën.

Ambasadorja Apostolava ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet e fundit politike në vend.

“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në vazhdim në Kosovë. Situata aktuale e pashembullt e shpërthimit të COVID-19 bën thirrje për konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët në krizë” ka thënë Apostolova për Telegrafi.

Sipas saj, në këtë kohë partitë politike duhet të kenë unitet për mirëqenien e popullit.

“Partitë politike duhet të kujdesen para së gjithash për mirëqenien e popullit të Kosovës mbi ndonjë interes partiak” ka thënë Apostolova.

Ndryshe, në kohën kur krejt bota edhe shtetet individuale po merren me çështjen e menaxhimit të situatës pas shpërthimit të pandemisë me COVID-19, në Kosovë ka shpërthyer kriza politike ndërmjet partnerëve të koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo erdhi pasi kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Agim Veliu për të cilin tha pos tjerash se ka shpërndarë panik te qytetarët me deklaratat për coronavirusin.

Ndryshe, LDK pa prezantuar largimin nga Qeveria dhe ka nisur një mocion i cili është përkrahur deri tash nga AAK dhe NISMA Socialdemokrate për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme