BE: Lajçak është përfaqësues i 27 vendeve, jo i Sllovakisë

09:19 | 27 Maj 2020
Arbresh.info

Emërimi i Miroslav Lajçak si i Dërguar i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi nuk është pritur mirë në Kosovë.

Përveç Lajçak, as emërimi i Josep Borell si Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri nuk ishte mirëpritur, e kjo për faktin se të dy vijnë nga shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht, nga Sllovakia dhe Spanja.

Këto dy shtete bëjnë pjesë në 5-shen e Bashkimit Evropian nga 27 shtete sa janë gjithsej të cilat nuk e njohin Kosovën dhe paraqesin gjithashtu problem për procesin integrues të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të huaja.

Se cili mund të jetë efekti i emërimit të Lajçak në dialogun Kosovë – Serbi, tregojnë nga BE-ja.

Në përgjigjet e Bashkimit Evropian për lajmi.net thuhet se Lajçak është përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht i 27 vendeve anëtare dhe së këndejmi, ai do të punojë në emër të BE-së dhe jo të Sllovakisë.

“Së pari, më leni ta sqaroj se Përfaqësuesi Special i BE-së, Z.Lajçak është duke përfaqësuar BE-në, kjo do të thotë se të gjitha 27 vendet anëtare dhe ka besimin e tyre të plotë siç është shprehur tashmë disa herë nga drejtuesit e Shteteve Anëtare të BE-së. Ai vepron dhe punon jo në emër të Sllovakisë, por në emër të BE-së, që do të thotë në emër të të gjitha 27 shteteve anëtare.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Por, BE ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes se pse Lajçak ende nuk ka kontaktuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Të pyetur nëse emërimi i Lajçak mund të ketë konsekuenca në dialog, nga BE thonë se do të kryejnë punën e tyre siç kanë bërë nga fillimi i dialogut, kësaj radhe nëpërmjet dy të angazhuarve direkt në proces, që janë Borell e Lajçak.

“Dialogu Prishtinë – Beograd është asistuar nga BE prej fillimit në vitin 2011. Ne(kjo do të thotë që BE e përfaqësuar në dialog nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së, Z.Lajçak) po punojnë drejt një përfundimi të suksesshëm të dialogut – për të arritur normalizim gjithëpërfshirës dhe një marrëveshje përfundimare që zgjidh të gjitha pyetjet e pazgjidhura midis dy palëve. Ne kemi theksuar për një kohë të gjatë se është e rëndësishme të rifillohet dialogu, për t’i dhënë një përspektivë të qartë evropiane rajonit. BE e asiston këtë dialog nga fillimi në vitin 2011 dhe vazhdon ta bëjë përmes Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell – i mbështetur tani nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Në fund, Bashkimi Evropian shprehet se është e rëndësishme që dialogu të rifillojë dhe se dy të angazhuarit e BE-së në dialogun vazhdojnë kontaktet e rregullta me partnerët e të dy shteteve.

“Emërimi i fundit i Përfaqësuesit Special të BE-së për rajonin, pasqyron rëndësinë që vendet anëtare të BE-së i kushtojnë rëndësi dialogut. I dërguari i ri është vazhdimisht në kontakt me të gjithë partnerët përkatës për të dëgjuar perspektivat, pritjet dhe shqetësimet e tyre në mënyrë që të përgatisin bazat, në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë pa vonesa. Sidoqoftë, koha, axhenda dhe ritmi i dialogut nuk varet vetëm nga BE, por formohet së bashku me të dy palët dhe aftësinë e tyre për t’u pajtuar.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Pavarësisht kësaj, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i paralizuar qysh prej kur Kosova ka vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Ardhja e Kurtit në krye të qeverisë, si konsekuencë pati heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit, një gjë e cila u kundërshtua ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në anën tjetër e vendosi dialogun në një bllokadë të re.

Emërimi i Josep Borell në krye të Politikës së Jashtme të BE-së, dhe i Miroslav Lajçak në krye të dialogut Kosovë – Serbi, nga shumë politikanë në Kosovë është pritur mjaft keq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shihet të mos ketë bashkëpunim me asnjërin prej tyre, pavarësisht faktit se gëzonte bashkëpunim shumë të mirë me paraardhësen e Borell, Frederica Mogherini.

Në anën tjetër, edhe Partia Demokratike e Kosovës në mënyrë eksplicite e ka shprehur faktin se emërimi i Borell dhe Lajçak nuk i kontribon dialogut, por përkundrazi e dëmton këtë proces.

Përveç këtyre dy qëndrimeve të hapura karshi tyre, edhe në partitë e tjera politike në Kosovë ka pasur zëra se të fakti që të dy përfaqësuesit e BE-së në dialog vijnë nga vende që nuk e njohin Kosovën nuk i ndihmon dialogut.

Në anën tjetër, emërimi i Lajçak duket të jetë kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas emërimit të Richard Grenell si i Dërguar i Posaçëm i Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.

Përfshirja aktive e SHBA-ve në dialog, ka bërë që Bashkimi Evropian të lëvizë më me dinamikë drejt kësaj çështje – tani kur më shumë se kurrë gjatë 9 viteve të kaluara dialog përmendet një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme