BE kërkon dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese, masat mbetën në fuqi

18:35 | 12 Dhjetor 2024
E.H

Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i kërkojë Kosovës që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu që, pa vonesa të mëtejshme, dorëzon në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin evropian.

Kjo qëndron në draftin e konkluzave për Kosovën, të cilat do të miratohen më 17 dhjetor gjatë takimit të ministrave të ngarkuar për çështje evropiane.

Bëhet fjalë për konkluzat që i përkasin zgjerimit e të cilat BE i miraton çdo vit në muajin dhjetor. Të njëjtat kokluza të ministrave, më pas, i mbështete niveli më i lartë politik, ai i liderëve të BE-së në samitin e rradhës.

Në draft konkluza thuhet se Këshilli i BE-së, mirëpret që Kosova dhe Serbia së fundmi rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe u zotuan për angazhim konstruktiv në këtë proces për ta çuar atë përpara më shpejtë. Përsëritet domosdoshmëria e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut, përfshirë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit.

Këshilli i BE-së rithekson se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në kuadër të dialogut.

Shprehet shqetësimi i thellë për situatën në veri. Kërkohet nga Kosova si dhe Serbia të ndjekin përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të shmangin retorikën përçarëse.

Këshilli dënon sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës, dhe solidarizohet me njerëzit e prekur.

“Këshilli pret që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Në këtë drejtim, Këshilli u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet përkatëse”, thuhet në draft konkluzë.

Gjithashtu do dënohen aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023, si dhe sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.

Këshilli i BE-së megjithatë konfirmon se masat e vendosura ndaj Kosovës vazhdojnë të mbesin në fuqi.

“Masat e zbatuara ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës mbeten në fuqi. Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme të heqë masat e saj, në rast se kërkesat e BE-së në këtë drejtim përmbushen”, thuhet në draftin e konkluzave.

Këshilli i BE-së rithekson rëndësinë dhe mbështetjen e tij për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nënvizon gatishmërinë për t’i ndihmuar këto institucione në zbatimin e mandatit të tyre.

Në konkluzat e BE-së, që do miratohen më 17 dhjetor, mirëpritet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe reformat përkatëse.

Vërehen pozitivisht përparimet në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht përmes rritjes së bashkëpunimit me Europolin. Përmendet përparim i kufizuar në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Kërkohet nga Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar llogaridhënien, pavarësinë, efikasitetin dhe integritetin e sistemit gjyqësor, për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për të siguruar që legjislacioni në këto fusha të përputhet plotësisht me legjislaturën e BE-së si dhe standardet evropiane.

Këshilli do e mirëpret zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Gjithashtu do mirëpriten hapat e ndërmarra nga Kosova drejt përmbushjes së zotimeve të saj në CEFTA, duke përfshirë heqjen e vendimit të saj për ndalimin e importit të mallrave me origjinë serbe, i cili, siç thuhet në draft “duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht”.

Kosova gjithashtu do lavdërohet fuqishëm në dënimin e luftës dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përafrimin e saj vullnetar të vazhdueshëm me politikën e jashtme evropiane dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së, që është, një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të Kosovës dhe e vendit të saj në një bashkësi vlerash./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme