BE-ja sqaron se si të pajiset Kosova me Certifikatën digjitale COVID

09:00 | 18 Shtator 2021
L G

Kosova ende nuk ka një pasaportë digjitale COVID-19, që kosovarët të mund të lëvizin lirshëm në Evropë, ani pse Kosova i njeh certifikatat digjitale COVID-19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian.

Por, deri më tani në Kosovë të vaksinuarit pajisen vetëm me kartelë vaksinimi për COVID-19, dhe me QR kod, që identifikon statusin rreth vaksinimit.

E, rreth kësaj çështje, nga Ministria e Shëndetësisë për arbresh.info thonë se, janë duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian, duke ndjekur procedurat përkatëse, në mënyrë që certifikata digjitale e Kosovës të njihet.

Nga kjo ministri thonë se do t’i përmbushin të gjitha përgjegjësitë e veta që i takojnë në raport me palët e jashtme.

“Kosova ka dizajnuar krahas kartelës së vaksinimit me QR code edhe certifikatën digjitale për lëvizje të lirë në shtete të ndryshme. Ajo është aprovuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë dhe është duke punuar ngushtë me aktorët përkatës të Komisionit Evropian dhe janë duke u ndjekur procedurat përkatëse ne mënyrë qe e njëjta te pranohet. Çdo procedure që kërkohet nga KE, do te plotësohet me qellim që certifikata digjitale e Kosovës të njihet.

Është e kuptueshme që disa çështje janë jashtë ndikimit të MSh-së, por Ministria e Shëndetësisë do të përmbush përgjegjësitë e veta që i takojnë edhe sa i përket kësaj certifikate në raport me palët e jashtme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Se Kosova është në kontakt me BE-në për ta siguruar pasaportën digjitale COVID-19, e thonë edhe nga zyra e BE-së në Kosovë.
Juan Zaratiegui, këshilltar Politik nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për arbresh.info, thotë se për të marr pjesë Kosova duhet të sigurohet që certifikatat e vaksinimit COVID-19 janë në përputhje me ato të BE-së.

Sipas tij, tashmë Kosova është në kontakt me BE -në për ta siguruar këtë.

“Ekziston një proces zyrtar aplikimi për t’u bashkuar me Certifikatën digjitale COVID të BE -së. Për të marrë pjesë Kosova duhet të sigurohet që certifikatat e vaksinimit COVID-19 janë në përputhje me ato të BE-së. Kosova është në kontakt me BE -në për ta siguruar këtë”, thotë ai.

Ndryshe, Komisioni Evropian, ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Certifikata digjitale lëshohet në formë të shtypur si dhe format digjitale dhe do të ketë validitet deri në një vit.

Certifikata digjitale COVID-19 e BE-së përmban një kod QR me një nënshkrim digjital për ta mbrojtur atë nga falsifikimi. Kur certifikata kontrollohet, kodi QR skanohet dhe nënshkrimi verifikohet. /A.ZEKA/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme