Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka paralajmëruar Kosovën se mos miratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze negative, raporton arbresh.info.
“Mos miratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës”, thuhet në reagimin e zyrës.
Sipas tyre, Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë.
“Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit, dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë kosovare, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI. Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent (gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeç. Kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë e barabartë (50 deri në 50%)”, thuhet në reagim.
Aty thuhet më tej se për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeç siç rekomandohet në vendet e BE-së.
Po ashtu, gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave.
“I bëjmë thirrje deputetëve të marrin në konsideratë këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij Kodi, veçanërisht kur bëhet fjalë për garantimin e të drejtave të grupeve më vulnerabël, siç u përmend më lart”, përfundon reagimi./arbresh.info/
Një nxënës sulmoi me thikë mësuesen dhe disa nxënës në Zagre...
Osmani: Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ësht...
Spiropali: Kosova meriton anëtarësimin në BE
Konjufca: Kjo seancë duhet të shihet që Kosova dhe Shqipëria...
Nis seanca e përbashkët plenare mes Kuvendit të Kosovës dhe ...
Llapi-Dukagjini, duel për t’i ikur fundit ta tabelës