Bashkimi Evropian po ofron mundësi të mëdha për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në këtë mes edhe për Kosovën, por këto mundësi, sidomos në aspektin ekonomik duhet ditur të shfrytëzohen, thonë analistë nga fusha ekonomike.
Gjatë kësaj jave në Sofje të Bullgarisë është mbajtur Samiti i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor ku përmes një deklarate të përbashkët është konfirmuar përkushtimi dhe vendosmëria për të ardhmen evropiane të rajonit.
Ky samit ka nxjerrë si përfundim edhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, siç është edhe aspekti ekonomik.
Profesor Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës Ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian në Fakultetin Ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë që Kosova të përfitojë nga mjetet dhe mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, duhet t’i ngrisë kapacitetet e saj.
“Konsideroj që çdo samit i Bashkimit Evropian që mbahet për Ballkanin Perëndimor është i mirëseardhur sepse dërgon mesazhe që Bashkimi Evropian ka plane për Ballkanin Perëndimor. Aty ka premtime edhe për zhvillim, për investime në infrastrukturë e projekte të ndryshme, por një problem është sesa ne do të dimë t’i shfrytëzojmë ato mjete dhe ato mundësi që ofron Bashkimi Evropian”, thotë Qorraj.
Bashkimi Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), thotë Qorraj, ka afruar mundësi për tregti të lirë, por Kosova sipas tij, duhet të analizojë se çfarë benefite ka pasur nga ato që deri më tani i ka ofruar BE-ja.
Ai thotë se Kosova nuk ka përfituar shumë nga MSA-ja dhe ky është një mesazh që duhet të punohet më shumë.
“Kosova duhet t’i ngrisë kapacitete. Nëse nuk kemi bërë sa duhet deri më tani t’i ngritim kapacitet dhe të përftojmë nga Samiti i Bashkimit Evropian që u mbajt gjatë kësaj jave ne Sofje. Është një mesazh i rëndësishëm për të ardhmen për ato që ofrohen tash e tutje nga BE-ja”, thotë Qorraj.
Në kuadër të Samitit të Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Sofje, ishin organizuar forume të ndryshme ekonomike.
Në forumin “Perspektiva e investimeve – Ballkani Perëndimor”, ishte pjesëmarrës edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka.
Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, Lluka ka prezantuar mundësitë që Kosova ofron në sektorë të ndryshëm, me fokus në energji, miniera dhe teknologji informative.
Lluka ka vlerësuar se integrimi i një tregu të përbashkët energjetik, mbetet sfida kryesore në vend.
“Kosova, duke qenë në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka luajtur rol kryesor në lidhjen në mes vendeve. Investimet në infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe tash në telekomunikacion që Kosova ka realizuar dhe është duke realizuar, e bëjnë rajonin më të ndërlidhur dhe më atraktiv për investime të huaja”, ka thënë Lluka.
Ndërkohë, profesor Gazmend Qorraj thotë se është një lajm i mirë kur premtohet për Ballkanin, por sipas tij, duhet ndarë në mënyrë individuale procesin.
“Të gjithë vendet e Ballkanit kanë liberalizmin e vizave, e Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk e ka dhe kjo është pengesë kryesore për bizneset dhe të gjitha kategoritë tjera. Po ashtu, pengesë është aftësia e limituar konkurruese e bizneseve që e pamundëson qasjen më të mirë në tregjet evropiane”.
“Mesazhi im është qe në t’i shikojmë gjërat individualisht, jo të themi është një lajm i mirë për Ballkanin dhe ai vlen edhe për neve. Problemi është se aty përftojnë edhe në mënyrë individuale, pra nuk do të thotë që të gjithë përftojnë njëjtë. Përfitojnë ata të cilat kanë institucione më efikase dhe i qasen në mënyrë më serioze procesit”, thotë Qorraj.
Në Samitin në Sofje është mbajtur edhe Forumi Ekonomik Botërorë në të cilin takim Kosova është përfaqësuar nga zëvendëskryeministri, njëhërësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ai kishte theksuar se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është çelës për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajonit.
Megjithatë, sipas tij, mosmarrëveshjet bilaterale në nivel politik mbesin ende pengesë.
Mekanizmat ndërkombëtarë e kanë parë bashkëpunimin rajonal si një domosdoshmëri, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Vazhdimisht Bashkimi Evropian i ka kërkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor që të zhvillojnë projekte të përbashkëta, me standarde evropiane, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore por edhe doganore, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave
Vullneti shfrytëzon kartonin e gjelbër
Rusia ndal furnizimet me gaz për Austrinë
“Kosova, shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karb...
Rama: Pagat në turizëm, konkurruese më Greqinë
Hiqet nga përdorimi lënda djegëse e mazutit, vendosen panele...
Nagavci nënshkruan kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dh...